Fitore Pacolli - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Udhëtoi nga Egjipti për ta votuar buxhetin, deputetja Pacolli sqaron kush ia pagoi biletat

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli kishte ndërprerë vizitën e saj në Egjipt për t`u kthyer në Kuvend për të votuar buxhetin.

Por ajo nuk kishte qëndruar as 24 orë në Kosovë dhe kishte marrë përsëri rrugën për në Egjipt, prej nga ishte kthyer.

Pacolli këtë ‘rokadë’ udhëtimet e kishte bërë publike vet në Facebook, por pastaj ishte vërshuar nga komentet se po abuzon me buxhetin duke udhëtuar.

“Dje u nisa nga Egjipti dhe sot në mëngjes arrita në Prishtinë për të votuar buxhetin më të madh ndonjëherë – 3.2 miliardë euro.  Sonte po nisem nga Prishtina në Egjipt dhe do të arrij nesër në mëngjes që të prezantoj bashkë me Ministrin Liburn Aliu në aktivitetin e parë të Kosovës në #COP27” – ka shkruar ajo në Facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar deputeten Pacolli për të kuptuar nëse të dy biletat janë paguar me buxhet të shtetit, por ajo ka thënë se ‘biletën për buxhetin’ e ka paguar vet.

“Biletat për udhëtim 14 nëntor dhe kthim 19 nëntor janë paguar nga Kuvendi. Bileta për kthim më datë 16 nëntor dhe 17 nëntor (kthimi im për votim) janë paguar nga buxheti im personal” – ka thënë deputetja Pacolli.

Pacolli nuk është përgjigjur në pyetjen e KALLXO.com se sa kanë kushtuar çmimet e biletave nga Kosova në Egjipt dhe anasjelltas.

Megjithatë, vota e deputetes Pacolli për Projektligjin për buxhetin nuk duket të ketë qenë vendimtare, për shkak e në fund ky projektligj kaloi me 64 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. Gjatë votimit të Projektbuxhetit në parim, në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm 82 deputetë.

Për pjesëmarrjen në konferencën e 27-të OKB-së për ndryshimet klimatike në Egjipt, deputetja Pacolli kishte folur edhe në Kuvend.

Ajo kishte njoftuar se pjesëmarrës është edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Sot sapo u ktheva nga Sharm El- Sheik në Egjipit, ku po mbahet konferenca e 27-të e OKB-së për ndryshimet klimatike. Kjo është hera e parë që Kosova po merr pjesë fizikisht, apo po përfaqësohet në nivelin qeveritar nga ministri Aliu, i cili po vazhdon takimet bilaterale edhe sot dhe në nivel parlamentar nga unë, me ftesë të ministrit, në cilësinë e kryetares së Komisionit për Mjedis” – kishte thënë në fillim të seancës së të enjtes, deputetja Pacolli.

“Pjesëmarrja e Kosovës në Kosovës në KOP 27 e mundësuar nga qeveria gjermane është unike dhe ka rëndësi të veçantë sepse jemi fizikisht dhe kemi shumë takime bilaterale” –  kishte thënë ajo mes tjerash.

KALLXO.com ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, qasje në të gjitha udhëtimet zyrtare të deputetes Pacolli duke përfshirë arsyen e vizitave si dhe çmimeve të biletave.

Ndërsa nga MMPH ka kërkuar qasje në listën e stafit që ka udhëtuar për në Egjipt, duke përfshirë pozitat si dhe çmimin e biletave dhe është në pritje të përgjigjes.

Vota e deputetes Pacolli nuk duket të ketë qenë vendimtare për ta miratuar në parim buxhetin e Kosovës.

Në seancën e djeshme projektligj për buxhetin e Kosovës ka marrë 64 vota pro, 1 kundër dhe një abstenim. Gjatë votimit të Projektbuxhetit në parim, në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm 82 deputetë.

Shënim: Artikulli është plotësuar me informacione shtesë nga deklarata e deputetes Pacolli dhënë në seancën e Kuvendit të Kosovës më 17 nëntor dhe për kërkesat e dërguara nga KALLXO.com në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për qasje në shpenzimet e udhëtimit.