Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fillon vaksinimi për personat mbi moshën 85 vjeç

Të moshuarit mbi 85 vjeç nga sot do të mund të vaksinohen me vaksinën “AstraZeneca”, kundër coronavirusit.

Mëngjesin e sotëm rrugën për në sallën “1 Tetori”, vendin e destinuar për vaksinim për qytetarët e Prishtinës e mori edhe Ismajl Peshku. Ai pas vaksinimit qëndroi ulur për 15 minuta, sipas rregullave të vendosura për personat e vaksinuar.

“Jam t`u u ndi shkëlqyshëm. Mjekët janë të shkëlqyeshëm”, shprehet ai.

Menaxheri ekipës për vaksinim në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, Niman Bardhi, tha se faza e vaksinimit për moshatarët mbi 85 vjeç do të vazhdoj për tre ditë radhazi, pastaj do të fillohet vaksinimit i personave 80 deri 84 vjeç.

“Deri në këto qaste që po flasim janë vaksinu 10 persona. Faza e parë aktuale është tre ditë (8,9 dhe 10 prill) për mbi 85 vjeç, pastaj për moshën 80 deri ne 84 vjeç është data 11, 12 dhe 13 prill, do të thotë janë dy herë nga tre ditë për këtë kategori”, tregoi Bardhi.

Ai thotë se deri më tani asnjë nga të vaksinuarit nuk ka shfaqë reaksione pas vaksinimit, këtu duke u përfshirë edhe personeli shëndetësor. Tutje ai sqaron se stafi shëndetësor të cilët nuk kanë arritur të vaksinohen do të marrin informacione nga Ministria e Shëndetësisë së kur do të mund të vaksinohen.

“Në sallën 1 tetori por përfshirë edhe regjionet ka kaluar 5400 të vaksinuar tashmë. Padyshim ata do të vaksinohen të gjithë sapo të del njoftimi i radhës drejtpërdrejt nga Ministria e Shëndetësisë, përkundër asaj që njoftimin e kanë pasë që nga muaji mars”, tregon ai.

Bardhi potencon se stafi menaxhues dhe ekipa e personelit shëndetësor në sallën “1 Tetori” janë për çdo lëvdatë.

Vaksinimit në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, pasi që Kosova një ditë më parë kishte pranuar kontingjentin e parë të vaksinave “AstraZeneca” nga kompania COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vaksinimi, dobia dhe reaksionet e mundshme të ‘AstraZeneca’