Vaksinimi, dobia dhe reaksionet e mundshme të ‘AstraZeneca’

Mbrëmjen e 28 marsit në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë arriti kontingjenti i parë me 24 mijë vaksina ‘AstraZenca’, vaksinë kundër coronavirusit, donacion për Kosovën nga COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një ditë pas stafi shëndetësor e përgjegjës u mobilizuan që të fillohet vaksinimi fillimisht i stafit shëndetësorë në sektorin publik.

Salla “1 Tetori” dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, janë të destinuara për dhënie të vaksinës ‘AstraZenca’.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se deri më tani rreth 4,000 persona – staf shëndetësor janë vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19, vetëm dje janë vaksinuar 756 prej tyre. Rreth 500 mjek e infermier nga Kosova janë vaksinuar në fund të muajit mars në Kukës të Shqipërisë.

Menaxheri për vaksinimi, Niman Bardhi dje në një konferencë për media potencoi se ka filluar vaksinimi edhe për stafin shëndetësor të sektorit privat.

“Ne sot kemi filluar vaksinimin e personelit shëndetësor të sektorit privat dhe të gjithë personeli shëndetësor brenda FSK-së sapo të mbyllen kjo (vaksinimi i stafit shëndetësor privat) besoj nga data 8 (prill) e tutje do të fillohet me qytetarët por me prioritet grupmoshat mbi 80 vjeç”, tha Bardhi.

Ai thekson se vetëm në qendrën “1 Tetori” brenda orarit të punës numri i personave të vaksinuar mund të arrij në 700 deri 1,000.

Me “AstraZeneca”, aktualisht janë duke u vaksinuar profesionistët shëndetësor nën moshën 65 vjeç, në sektorin publik në këtë moshë pensionohet personeli, ndërsa në sektorin privat MSh thotë se ka edhe më të moshuar por që ende nuk kanë një evaluim të detajuar të të dhënave.

Agjensia Shtetërore e Informacionit – AShI, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka hapur link për regjistrim të të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19.

“Për çfarëdo problemi që qytetarët mund të hasin gjatë aplikimit, mund ta adresojnë atë përmes email adresës: [email protected] dhe ne faqen e-kosova në rrjetin social facebook”, thuhej në njoftimin e MSh-së.

MSh në një përgjigje dhënë për KALLXO.com konfirmoi se në platformën ekosova janë regjistruar rreth 4,000 persona, të interesuar për vaksinim.

“Ky është proces i hapur dhe regjistrimi po vazhdon. Ka të regjistruar nga të gjitha komunat dhe ato lista do të ndahen me ekipet e vaksinimit kur procesi i vaksinimit të nis edhe me grup moshën mbi 80 vjeç. Përveç kësaj, ka edhe rrugë tjera për regjistrimin e atyre që kanë vështirësi në përdorimin e aplikacionit apo teknologjisë informative”, thuhet tutje në përgjigjen e ministrisë.

Sallën ‘1 Tetori’ në kryeqytet dje e vizitoi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos hezitojnë të vaksinohen me vaksinën kundër coronavirusit.

“Në këtë vend po jepet mesazh i shpresës”, u shpreh Presidentja para mediave.

Presidentja Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, premtuan se së shpejti do të vijë edhe kontingjenti tjetër me vaksinën kundër COVID-19.

Reaksionet pas vaksinimit

Temperaturë dhe dhimbje të nyjeve janë simptomat pas vaksinimit me vaksinën kundër coronavirusit thotë U.D i Klinikës Infektive, Izet Sadiku.

“Po jam vaksinu kam pas reaksione të zakonshme, temperaturë dhe dhimbje të nyjeve. Vetëm ndonjë paracetamol e kam pi, tjetër jo”, rrëfen ai për KALLXO.com.

Nga MSh thonë se në grupin për përcjellje të efekteve anësore, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka pranuar ndonjë raport, por thonë se kjo nuk do të thotë që personat e vaksinuar nuk ka pasur ndonjë efekt pasvaksinal apo që nuk do të ketë, por që ministria ende nuk ka pranuar një raport të tillë.

“Tretmani pas vaksinimit-varet prej efektit që manifestohet pas vaksinimit, kur nuk ka efekte anësore, rekomandohet të vazhdohet të ushqyerit me dietë te rregullt sa më të shëndetshme dhe konsumim më i shtuar i ujit”, thonë tutje nga MSh.

Pas ardhjes së vaksinës “AstraZeneca” dhe fillimit të dhënies së vaksinës, qytetarët të cilët tashmë kishin kaluar infeksionin SARS-CoV-2 ishin në dyshime nëse do të duhet të vaksinohen apo kur duhet të vaksinohen.

Sadiku thotë se ka shumë dilema rreth kësaj çështjeje, mirëpo ai potencon se javën e kaluar Robert Koch nga Instituti Gjerman, ka potencuar se personat të cilët kanë kaluar infeksionin gjashtë deri në tetë muaj mund të vaksinohen, mirëpo ai thotë se mbetet në vullnetin e gjithsecilit nëse dëshiron të vaksinohet apo jo.

“Ka shumë dilema, ka shtete të ndryshme mendime të ndryshme. Zotëri Rober Koch ka rekomanduar javën e kaluar, që ata që e kalojnë sëmundjen (infeksionin COVID-19), gjashtë deri në tetë muaj mund të mos vaksinohen. Mbetet në vullnetin e secilit individ a do me u vaksinu apo jo. Zakonisht pas dy apo tre javë që kalon sëmundja, konsiderohet se mund të vaksinohet, por ka shtete të ndryshme që kanë opinione të ndryshme”, tha ai.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Oda e Mjekëve të Kosovës rreth 93% e mjekëve janë deklaruar se do të marrin vaksinën kundër COVID-19, mirëpo Ministria thotë se dëshiron që këtë “lloj përgjigje të këtillë edhe me vaksinim konkret”.

Nga Ministria thonë se vaksinimi me “AstraZeneca” është duke shkuar sipas Planit Shtetëror të vaksinimit, veçse dëshirë e ministrisë është që përgjigja për vaksinim të jetë edhe më e lartë.

Vaksinimi ka filluar në tetë komuna, në Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. MSh thotë se presin që sot të nis vaksinimi edhe në disa komuna të tjera.

Pas vaksinimit secili person është i obliguar të qëndroj 15 minuta ulur për të parë nëse ka reaksione.

Aktualisht në Kosovë janë 14,020 raste aktive me COVID-19 përderisa dje janë regjistruar 489 raste të reja pozitive 745 persona janë shpallur të shëruar si dhe tetë persona të prekur me virusin kanë vdekur.

Coronavirusi është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.