Presidenti amerikan, Donald Trump - Foto: REL/AFP

Fillojnë procedurat për shkarkimin e presidentit Donald Trump

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, ka njoftuar për fillimin e procedurave për shkarkimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ky vendim vjen pas raportimeve se presidenti Trump gjatë një telefonate në korrik me presidentin e Ukrainës, Volodomyr Zelenskyi, kishte kërkuar nga ai hetim të plotë mbi ish-nënpresidentin dhe kandidatin për president në zgjedhjet e ardhshme në SHBA, Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, duke kushtëzuar me tërheqjen e mbështetjes financiare për ushtrinë e Ukrainës.

Pelosi në një adresim publik tha se është “e papranueshme dhe esenciale që presidenti të mos jap përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin”.

Përmes rrjetit social Twitter, i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit Trump i cili e ka konsideruar këtë vendim “të pabesueshëm”.

“Ishte një ditë e rëndësishme në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, shumë punë dhe suksese, dhe demokratët me qëllim prishën cdo gjë me lajme ekskluzive, mbeturina të gjuetisë së shtrigave. Shumë keq për vendin tonë”. tha Trump.

Numri i demokratëve që mbështesin vënien në gjykim të presidentit Donald Trump është duke u rritur. Nga 235 demokratët në Shtëpinë e Përfaqësuesve, të paktën 161 nga ta e kanë bërë të qartë se do të fillojnë procesin e hetimit ndaj Trumpit.

Biden ka bërë presion ndaj Kongresit për të inciuar procedurat e shkarkimit ndaj Trumpit.

Ai tha më herët se nuk ka zgjidhje tjetër përpos shkarkimit të tij.

“Trump do të largohet nga Kongresi. Do të ishte tragjedi, por tragjedi e shkaktuar nga vet ai” tha Biden.

Trump tha se do ta publikojë transkriptin e bisedës

Presidenti Donald Trump ka njoftuar të martën se do ta publikojë transkriptin e bisedës më presidentin e Ukrainës të mërkurën.

Publikimi i bisedës vjen disa ditë pas debatit të brendshëm brenda administratës nëse do të ishte veprim i duhur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë kanë kundërshtuar publikimin e bisedës, për shkak të dobëismit të fuqisë së Trumpit në politikën e jashtme.

Por, avokati Bill Barr ka këshilluar Trumpin që të bëjë publike bisedën.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë se vendimi për procedurat e shkarkimit nga ana e Pelosit nuk janë “asgjë e re”.

“Demokratët vazhdojnë të përdorin politikën si armë kur duhet të punojnë për zgjedhësite tyre, kjo nuk është asgjë e re”, tha zëdhënësja Stephanie Grisham.

Si erdhi deri këtu?

Mediat amerikane kanë raportuar se një informator i komunitetit të inteligjencës amerikane ka paraqitur një ankesë në muajin gusht, pasi është alarmuar nga përpjekja e supozuar e Trumpit për t’i bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në një bisedë telefonike.

Të dielën, Trump konfirmoi se ai e ka ngritur temën e ish-nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe të djalit të tij në një bisedë telefonike me Zelenskiyn, më 25 korrik.

Trump tha se i ka thënë Zelenskiyt se “ne nuk duam që njerëzit tanë, si nënpresidenti [Joe] Biden dhe djali i tij, të kontribuojnë në korrupsionin që tashmë po bëhet në Ukrainë”.

Ai e mohoi se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar Bidenin, i cili është një nga kandidatët kryesorë demokratë që mund të sfidojë Trumpin, republikan, në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e ardhshëm.

Pranimi i telefonatës nga ana e Trumpit i shtoi thirrjet e demokratëve për të nisur procedurat e votëbesimit në Kongres.

Skandali shpërtheu para një takimi të planifikuar midis Trumpit dhe Zelenskiyt në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë javë, në Nju Jork./ REL