Benjamin Netanyahu - Foto: screenshot
Familjarët e pengjeve të Gazës kërkojnë që Netanyahu të sigurojë lirimin e tyre
Të afërmit dhe mbështetësit e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza janë mbledhur sërish jashtë shtëpisë së kryeministrit izraelit në Jerusalem, duke ngritur tenda dhe duke kërkuar nga qeveria të arrijë urgjentisht një marrëveshje për të siguruar lirimin e tyre, raporton The Guardian.
Protesta vjen ndërkohë që Benjamin Netanyahu përballet me presion në rritje për robërinë e vazhdueshme të pengjeve, por hodhi poshtë ato që ai tha se ishin kushtet e grupit militant për lirimin e tyre, duke përfshirë përfundimin e ofensivës së Izraelit dhe lënien në pushtet të Hamasit.
“I hedh poshtë plotësisht kushtet e dorëzimit të monstrave të Hamasit”- ka deklaruar kryeministri izraelit.
Një zyrtar i Hamasit ka thënë se refuzimi i Netanyahut për t’i dhënë fund ofensivës “do të thotë se nuk ka asnjë shans për kthimin e robërve [izraelitë]”, të cilët vlerësohet të jenë 130.
Ndërkohë, ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen veçmas me homologët e tyre izraelitë dhe palestinezë – si dhe me ata nga Egjipti, Arabia Saudite dhe Jordania – të hënën në një sërë takimesh për të diskutuar luftën në Gaza pasi Netanyahu refuzoi thirrjet për shtetësi palestineze të pasluftës.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, këmbënguli javën e kaluar se e vetmja mënyrë për të arritur një paqe të qëndrueshme në rajon është që një zgjidhje me dy shtete “të imponohej nga jashtë”./The Guardian