Europride zhvillohet megjithë ndalimin nga Beogradi

Në kryeqytetin serb- Beograd, zhvillohet të shtunën parada Europride. Megjithë ndalimin e saj për shkaqe sigurie, organizatorët lokalë të Belgrade Pride duan të dalin në rrugë.

Megjithë ndalimin e paradës paneuropiane Europride për këtë vit, ajo zhvillohet në kryeqytetin serb, Beograd të shtunën (17:30). Autoritetet serbe e ndaluan evenimentin kryesor të lëvizjes LGBTQ për shkaqe sigurie, u tha nga qeveria, sepse ishin paralajmëruar kundërprotesta. Këshilli Kombëtar i Sigurisë i thirrur nga presidenti serb, Vuçiq e konfirmoi këtë të martë mosmbajtjen e paradës. Por organizatorët lokalë të Belgrade Pride duan megjithatë të dalin në rrugë.

“Ne nuk do ta lemë të fitojë intoleranca dhe urrejtja”, thuhet në një deklaratë të organizatorëve.

Europride zhvillohet që nga viti 1992, çdo vit në një metropol tjetër evropian. Beogradi është metropoli i parë në Ballkan që e zhvillon atë. Europride po zhvillohet një javë rresht që nga e hëna dhe të shtunën në Beograd ishte planifikuar aktiviteti kryesor me pjesëmarrje të shumë të ftuarve e politikanëve nga jashtë. Synimi ishte dërgimi i një sinjali të tolerancës.

Ndalimi që iu paradës shkaktoi protesta ndërkombëtare.

“Për mua është shumë shqetësuese, që autoritetet e pengojnë kaq shumë marshin e Europride, kur në të njëjtën kohë zhvillohen aktivitete të tjera dhe mitingje të lira dhe të sigurta në rrugët e Beogradit”, u shpreh Dunja Mijatovic, komisare për të drejtat e njeriut e Këshillit të Europës.

Në Serbi janë sidomos forcat nacionaliste dhe ultra të djathta që ndezin urrejtjen kundër personave të komunitetit LGBT. Mijëra vetë protestuan në javët e kaluara në protesta homofobe. Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije në një kundërdemonstratë javën e kaluar bëri thirrje për mbrojtjen e vlerave të një “familjeje tradicionale”./DW