Eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulën Serbisë

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka reaguar pasi Kosova dështoi të jetë dje pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.

Në profilin e tij në “X”, euroteputeti shkruan se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës iu kanë përulur Serbisë, duke përmendur Gjermaninë, Italinë dhe Francën.

Ai ka ritheksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Republika e Kosovës i përmbush të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe i takon Këshillit të Evropës. Fundi i qetësimit të Vuçiqit tani”, ka shkruar Reuten.

Ndryshe, dje Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë./Dukagjini