Foto: ZKM

Kurti takon raportuesin në Parlamentin Evropian mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën

Ditën e dytë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryeministri Albin Kurti e filloi me një takim me raportuesin në Parlamentin Evropian mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, njëherësh eurodeputet nga radhët e grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Thijs Reuten.

Sipas komunikatës së Qeverisë, eurodeputeti holandez përgëzoi Republikën e Kosovës për progresin në zbatimin e reformave të agjendës evropiane e politikat qeverisëse si dhe përparimin e bërë në zhvillim ekonomik, demokratizim e sundim të ligjit.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe të grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), ndaj vendit tonë në çështjen e liberalizimit të vizave, aplikimit për anëtarësim në BE, e rrugëtimit tonë të përgjithshëm evropian”- thuhet në komunikatë.

Tutje, sipas komunikatës, hapi i ndërmarrë nga ana e Kosovës përmes aplikimit për anëtarësim në BE ishte temë e rëndësishme e diskutimit, ku u theksua se ka qenë i natyrshëm vullnet i qytetarëve dhe dëshmia e radhës e orientimit të vendit ndaj vlerave e standardeve demokratike e evropiane.

“Eurodeputeti Reuten tha se është e rëndësishme që qytetarëve të Kosovës t’iu jepet perspektiva evropiane dhe të ecet përpara drejt një procesi kredibil të bazuar në meritokraci e shënim të progresit”- thuhet tutje në komunikatë.

Kryeministri Kurti e ka ftuar eurodeputetin Reuten që ta vizitojë vendin tonë në muajt në vijim.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me BE-në.

Dje ai takoi kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister.

Kurti në Strasburg takon kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian