Ura te Liqeni i Badovcit (25.04.2024), Foto: KALLXO.com

Ende nuk kanë rifilluar punimet për urën në Liqenin e Badovcit, e mbyllur që nga prilli i vitit 2023

Punimet për ndërtimin dhe funksionalizimin e urës në Liqenin e Badovcit që lidh Prishtinën me Gjilanin, kanë ngecur që disa muaj dhe ende nuk kanë rifilluar.

Kjo pasi që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë ndryshime në projektin fillestar dhe ato ndryshime ende nuk kanë marrë miratimin final.

Përveç ndryshimeve në projekt, MMPHI është arsyetuar edhe për nivel të lartë të ujit në liqe.

Rrjedhimisht, ende nuk ka datë përfundimtare se kur do të rifillojnë këto punime dhe kur do të jetë në funksion ura në fjalë.

Sipas ministrisë, punimet janë ndërperë që nga data 06.03.2024, ndërsa sipas kontratës së nënshkruar, punimet është dashur të përfundojnë në mesin e muajit maj 2024.

“Duke qenë se me rastin e hartimit të projektit kryesor nuk është marrë për bazë gjendja faktike në terren respektivisht nuk është analizuar mjaftueshëm ndikimi i niveli të ujit të liqenit në ekzekutimin e e punimeve, atëherë ka qenë e domosdoshme ndërhyjra në projektin kryesor që nënkupton ndryshimin apo plotësimin e projektit” – kanë thënë nga ministria për KALLXO.com me 29.05.2024.

“Kjo ndërhyrje është në fazën e procedurave të aprovimit dhe në momentin e aprovimit final të këtij ndryshim plotësim të projekti do të vazhdohet me ekzekutimin e punimeve”.

Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar me 10.01.2024, më shumë se gjashtë muaj që nga bllokimi i urës për shkak të rrezikut.

Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë e 522 euro. Në kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe “Dreni Inginiering” thuhet se punimet do të kryhen në afat prej 125 ditëve.

Kështu kishte deklaruar edhe zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Pas konstatimit të ekspertëve që ura në Badovc duhet të mbyllet për qarkullim, ne menjëherë intervenuam. E mbyllëm urën duke e hapur Bypass-in, e asfaltuam rrugën si zgjidhje të përkohshme. Afati për përfundimin e punimeve është 125 ditë”- citohet nga mediat të ketë thënë Durmishi më 23.10.2023.

Duke llogaritur datën e nënshkrimit të kontratës 10.01.2024 dhe 125 ditëve të përcaktuar, i bie që punimet është dashur të përfundojnë në mesin e muajit maj 2024. Por në teren punimet kanë ngecur. Aktualisht është demoluar vetëm ura e vjetër.

Ura e re pritet të jetë 38 metra e gjatë, me tri hapësira drite si dhe me gjerësi të rrugës mbi të 7 metra e gjysmë dhe trotuaret e elementet tjera përcjellëse.

Në fund të muajit prill 2023, MMPHI ka mbyllur urën tek Liqeni i Badovcit pas vlerësimit se paraqet rrezik.

Më 17.05.2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka asfaltuar rrugën alternative tek ura e Liqenit të Badovcit për qarkullim të veturave, deri në ndërtim të urës.

Ngecin punimet për ndërtimin e urës te Liqeni i Badovcit