Ende nuk dihet numri i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka informacione se sa është numri i votave në kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili ka thënë se numri i votave me kusht do të dihet pasi të pranohet materiali i ndjeshëm zgjedhor.

“Sa i përket votave me kusht të cilat janë hedhur në vendvotimin  e dyfishtë, do ta dimë pasi të pranojmë të gjithë materialin e ndjeshëm zgjedhor dhe do të kemi statistika për secilën komunë veç e veç. Sa i përket votave të personave me nevoja të veçanta, i cili zhvillohet si proces jashtë qendrave të votimit ku KQZ dërgon ekipe mobile për t`u mundësuar qytetarëve që nuk mund të shkojnë në vendvotime për të votuar, gjithashtu nuk kemi të dhëna se sa është shfrytëzuar kjo mundësi, ne kemi të dhëna vetëm sa është numri i personave të regjistruar që kanë kërkuar këtë mënyrë të votimit”, tha ai.

Sipas Elezit, nga jashtë vendit janë pranuar rreth 16 mijë pako me fletëvotime të supozuara.

“Jemi duke i shqyrtuar dhe do ta dimë më vone se sa është numri i saktë i fletëvotimeve”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së për KALLXO.com.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 6 tetor ndërsa ende është duke vazhduar procesi i numërimit të votave nga diaspora.