Edi Rama uron Kosovën për Ditën e Çlirimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Kosovën për 25- vjetorin e çlirimit nga forcat okupuese serbe.

“Një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – ka shkruar Rama.

Në të njëjtin postim, ai ka uruar edhe 33 vjetorin e Partisë Socialiste, të cilën ai e udhëheq.

“Një përqafim çdonjërit prej 93 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste në këtë 33 vjetor të lindjes së saj, si edhe me një falënderim plot mirënjohje për simpatizantët e zgjedhësit që e kanë bërë partinë tonë forcën më të madhe të shqiptarisë, mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës fitore” – ka uruar Rama.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Kosova, një çerek shekulli e lirë