Edhe sot numër treshifror i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 828 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 118 raste pozitive.

Gjithashtu, brenda 24 orëve janë raportuar tri raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast nga Spitali i Përgjithshëm, Gjilan, 1 raste nga Spitali i Përgjithshëm, Pejë dhe 1 rast nga Mjekimi Intenziv Qendror, QKUK).

Numri total i rasteve pozitive është 17.009 raste nga 80.886 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 656 raste të vdekjes.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.