Dyshohet se filmoi dhe shpërndau videon pornografike me një të mitur, Prokuroria e Pejës jep detaje për rastin

Një person është arrestuar në Pejë, pasi dyshohet se ka shpërndarë video-materiale pornografike të një vajze të mitur.

I njëjti me vendim të prokurorisë është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Pejë konfirmon se pas një pune operative është arritur të arrestohet personi i cili dyshohet se ka kryer veprat penale: Sulm seksual, cenim të integritetit seksual si dhe fotografimi apo videoincizimi i pa autorizuar ndaj një të miture.

“Pasi që është raportuar kjo çështje dhe njëkohësisht janë marrë veprime hetimore, në koordinim me prokurorin e shtetit është arrestuar personi madhor në fjalë, i cili dyshohet për këto veprat penale”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë Shkodran Nikçi.

“Lidhur me këtë çështje, prokurori i shtetit e ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin, ndërsa viktima ka marrë trajtimin e duhur”, ka thënë tutje Nikçi.

Ai ka thënë se do të ndërmerren të gjitha masat ligjore sipas afatit kohor.