Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka"

Anti-korrupsioni e detyron dekanin në universitetin "Haxhi Zeka" ta shuajë OJQ-në

Agjencia Kundër Korrupsion ka hasur në një rast të konfliktit të interesit tek dekani i Fakultetit të Agrobiznesit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Nexhdet Shala, me ç’rast e ka detyruar që ta shuajë një Organizatë Jo-Qeveritare, ku ai figuronte si kryetar dhe person i autorizuar.

Anti-korrupsioni ka bërë të ditur se rasti ka filluar të hetohet ndaj tij, pasi që kanë marrë informacionin se Shala ka qenë kryetar dhe person i autorizuar në OJQ-në “SHU Loxha”.

AKK ka sqaruar se pas kësaj, ata kanë kërkuar nga departamenti për OJQ në Ministrinë e Administratës Publike që të bëjë verifikimin e këtij rasti.

“Nga përgjigja zyrtare rezultuar se zyrtari i lartë Nexhdet Shala është kryetar dhe person i autorizuar në OJQ-në “SHU-Loxha”, ka bërë të ditur më tej anti-korrupsioni.

Agjencia Kundër Korrupsion ka shtuar se pas kësaj kanë kontaktuar Shalën dhe i kanë bërë më dije se gjatë ushtrimit të funksionit publik, zyrtari i lartë nuk mundet që njëkohësisht të ushtrojë funksion drejtues dhe as të jetë Përfaqësues i Autorizuar në OJQ, pasi sipas tyre, është në kundërshtim me nenin 13 dhe 14 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

AKK ka theksuar më pas se dekani i Fakultetit të Agrobiznesit është pajtuar me gjetjet dhe ka deklaruar se OJQ-ja për të cilën bëhet fjalë nuk ka funksionuar që nga viti 2014.

“OJQ-ja nuk ka funksionar që nga viti 2014, duke mos proceduar as xhirollogari e as ndonjë dokument përcjellës që nga ajo kohë, me gjithë atë do të ndërmerr veprime të menjëhershme në mënyrë që të shmang papajtueshmërinë në ushtrim të funksionit publik”, thuhet më tej.

Agjencia ka theksuar se nga departamenti për OJQ kanë marrë njoftimin dhe dëshminë se Organizata Jo-Qeveritare “Shoqata e Ujitjes ShU-Loxha” është shuar.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste të reja të zyrtarëve të lartë që AKK i ka detyruar të japin dorëheqje nga pozitat udhëheqëse në OJQ të ndryshme.

Konflikti i interesit, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës detyrohet të japë dorëheqje nga OJQ-të

 

Anti-korrupsioni detyron ish-prodekanin e Fakultetit të Arteve të tërhiqet nga OJQ-ja

Anëtarja e KD të UP-së mbante shumë pozita, AKK e detyron të heqë dorë nga disa

.