Konflikti i interesit, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës detyrohet të japë dorëheqje nga OJQ-të

Agjencia Kundër Korrupsion kishte hasur në një konflikt interesi te dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Agron Beka.

AKK ka identifikuar se përpos postit të dekanit, Beka ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit dhe përfaqësuesit të autorizuar në organizatat joqeveritare “Association for Law Advocacy and for Democratization of the Law System” dhe “Association of Agencies and Agents for Property Claims”.

AKK ka bërë të ditur se pas kësaj ka kërkuar nga departamenti për OJQ në Ministrinë e Administratës Publike verifikimin e kësaj çështjeje.

“Nga përgjigja zyrtare, zyrtari i lartë Agron Beka figuron të jetë edhe kryetar edhe person i autorizuar në OJQ-të në fjalë”, ka bërë të ditur më tej Agjencia.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka shtuar se pas kësaj e kanë njoftuar dekanin e Fakultetit Juridik për rastin  e konfliktit të interesit dhe se e kanë njoftuar atë gjerësisht se ky rast është në kundërshtim me nen 13, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe nenin 14, paragrafi 1.

Agjencia Kundër Korrupsion më tej ka sqaruar se pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, Agron Beka është pajtuar me gjetjet e Agjencisë duke deklaruar se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe konkrete në mënyrë që të shmang këtë konflikt të interesit.

“Ndërkohë, Agjencia ka pranuar njoftimin me të cilën  dëshmohet se Agron Beka ka dhënë dorëheqje nga funksioni drejtues në dy organizatat jo-qeveritare, si dhe i njëjti nuk figuron më të jetë as person i autorizuar në OJQ-të në fjalë”, thuhet më tej në vendimin e Agjencisë.

Agjencia ka theksuar se mund të rihapë rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

Agron Beka është emëruar dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Mitrovicës më 2017.