Anëtarja e KD të UP-së mbante shumë pozita, AKK e detyron të heqë dorë nga disa

Agjencia Kundër Korrupsion e ka mbyllur rastin për anëtaren e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Laura Kryeziu-Selimi.

Sipas këtij vendimi të AKK-së, Kryeziu-Selimi përveç anëtares së UP-së, ajo ka mbajtur edhe disa pozita të tjera dhe sipas vendimit ka qenë në konflikt interesi.

Antikorrupsioni pas kësaj kishte verifikuar se përveç pozitës në UP ajo ishte angazhuar dhe ka ushtruar funksione si: Drejtore ekzekutive në organizatën joqeveritare LGC, anëtare e bordit RIT Kosova dhe anëtare e bordit Milenium Foundation Kosova.

Tutje në vendim thuhet se AKK e ka lajmëruar me shkresë zyrtare Laura Kryeziu-Selimin se ka filluar procedurën e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit dhe se ka të drejtë në afatin prej 15 ditësh që të njoftohet me faktet që posedon Agjencia.

Pas kësaj, anëtarja e KD është takuar me zyrtarët e Antikorrupsionit dhe ka dhënë sqarime për pozitat e saj.

“Pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, zyrtarja është pajtuar tërësisht me gjetjet e Agjencisë duke deklaruar se ajo aktualisht ushtron funksionin publik si anëtare e KD të UP si dhe drejtor ekzekutiv në OJQ-në LGC, ndërsa nuk ushtron de facto funksionet si anëtare e bordit të RIT Kosova dhe si anëtare e bordit të Foundation Kosova, mirëpo e njëjta ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për një kufizim të tillë sa i përket funksionit drejtues në një organizatë joqeveritare”, thuhet tutje në vendimin e AKK-së.

Ajo ka shprehur gatishmërinë para zyrtarëve që të shmangë papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik duke dhënë kështu dorëheqje nga pozita e drejtoreshës ekzekutive në organizatën joqeveritare si dhe duke e ndërprerë angazhimin e saj si anëtare e bordit në RIT Kosova dhe e bordit të Milenium Foundation Kosova.

Në po këtë vendim AKK ka vlerësuar se pas veprimeve të marra nga Kryeziu-Selimi, duke dhënë dorëheqje nga pozitat e tjera, janë krijuar rrethana të reja dhe është shmangur gjendja e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik, përkatësisht konfliktit të interesit.

Ndër të tjera në vendim që është marrë me 11 dhjetor  thuhet se Agjencia mund të rihapë rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

Laura Kryeziu-Selimi nuk ka dashur që ta komentojë vendimin në fjalë.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për gjetjen e konfliktit të interesit nga AKK në rastin e ish-kryesueses së Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku.

AKK edhe për rastin e saj kishte vendosur njësoj – që ta mbyllë rastin.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

www.kallxo.com