Anti-korrupsioni e detyron Naser Ramadanin të dorëhiqet nga dy OJQ

Agjencia Kundër Korrupsion ka hasur një rast të konfliktit të interesit tek drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, me ç’rast e kanë detyruar që të japë dorëheqje nga dy Organizata Jo-Qeveritare.

Sipas Agjencisë,  në qershor të këtij viti, ata kanë identifikuar se Ramadani duke qenë zyrtar i lartë publik, njëkohësisht ka mbajtur edhe funksionin e kryetarit dhe personit të autorizuar në dy Organizata Jo-Qeveritare.

Pas kësaj, për t’i vërtetuar dyshimet anti-korrupsioni ka kërkuar informacione nga Departamenti i Organizatave Jo-Qeveritare në kuadër të Administratës Publike.

“Nga informatat e pranuara është konstatuar se Ramadani e mbanë funksionin e kryetarit dhe personit të autorizuar në OJQ-të “Akademia e Shkencave Mjekësore të Kosovës dhe “Shoqata e Mjekëve të Kosovës”, thuhet më tej në vendimin  e AKK-së.

Agjencia Kundër Korrupsion ka shtuar më tej se e kanë njoftuar Ramadanin në lidhje me rastin në fjalë dhe se sipas tyre, kjo gjë ka qenë në kundërshtim me nenin 13, paragrafi 1 dhe nenin 14, paragrafi i parë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

AKK ka shtuar se Ramadani është pajtuar me konstatimet e Agjencisë dhe se ka premtuar se do të ndërmarrë veprime që ta shmang gjendjen e konfliktit të interesit.

“Ndërkohë, Agjencia ka pranuar shkresën me dokumentet përcjellëse, në bazë të së cilave dëshmohet se zyrtari i lartë, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i kryetarit në OJQ-të “Akademia e Shkencave Mjekësorë të Kosovës” dhe “Shoqata e Mjekëve të Kosovës” dhe njëkohësisht ka bërë ndryshimet e nevojshme pranë departamentit të OJQ-ve”, thuhet më tej.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste të reja të zyrtarëve të lartë që AKK i ka detyruar të japin dorëheqje nga pozitat udhëheqëse në OJQ të ndryshme.

Anti-korrupsioni e detyron dekanin në universitetin “Haxhi Zeka” ta shuajë OJQ-në

Konflikti i interesit, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës detyrohet të japë dorëheqje nga OJQ-të

Anti-korrupsioni detyron ish-prodekanin e Fakultetit të Arteve të tërhiqet nga OJQ-ja

Anëtarja e KD të UP-së mbante shumë pozita, AKK e detyron të heqë dorë nga disa