Dy ditë pas përurimit, kompania detyrohet të intervenojë në fushën e sportit te shkolla 'Gjergj Fishta' në Prishtinë

Nga Komuna e Prishtinës njoftuan dy ditë më parë për përurimin e renovimit të fusha e sportit e cila ndodhet afër shkollës fillore “Gjergj Fishta”.

KALLXO.com e ka vizituar sot këtë fushë dhe ka vërejtur se një copë e shtresës ishte dëmtuar.

Aty në vendngjarje ishte edhe kompania përgjegjëse e cila kishte dalë që të intervenojë për të mbuluar pjesën e hequr.

Flamur Rexhaj nga kompania “Kalaja Epox Sh.p.k” fajin për këtë dëmtim thotë se e kanë  qytetarët që nuk e pritën “tharjen” e materialit.

“Dëmtimi është shkaktuar për arsye se shtresa e kësaj fushe është ende e freskët, asaj i duhen tre ditë që të marrë tharjen dhe përforcimin e sajë dhe të nesërmen disa qytetarë janë futur dhe kanë dëmtuar një pjesë të vogël, pra dëmtimi është fizik nga ana e njerëzve”- u shpreh Rexhaj për KALLXO.com

Sipas tij, puna është e papërfunduar dhe se janë edhe dy shtresa të cilat do të vihen mbi këtë fushë.

“Qytetarët e paidentifikuar e kanë goditur këtë pjesë më gjësende të forta dhe normalisht kjo do të dëmtohej në këtë rast, por edhe puna është e papërfunduar dhe janë edhe dy shtresa të cilat do të vihen përmbi këtë fushë, pasi ato dy shtresa bëjnë edhe lidhjen e gumës së zezë me bazën materiale të fortë”- theksoi ai.

Rexhaj tregon se ka pasur edhe shenja të cilat e ndalojnë hyrjen në fushë që të mos dëmtohet.

“Shenjat e ndalimit të hyrjes kanë qenë të vendosura, ka pasur izolim me shirita të lajmërimit ka pasur letra të ngjitësve që tregojnë se ndalohet hyrja por ky nuk është problem i joni por i qytetarëve që nuk i kanë respektuar ato shenja dhe kanë bërë dëmtimin e fushës” – shtoi Rexhaj.

Fusha e sportit “Gjergj Fishta”, Prishtinë/ Foto:KALLXO.com
Fusha e sportit “Gjergj Fishta”, Prishtinë/ Foto:KALLXO.com
Fusha e sportit “Gjergj Fishta”, Prishtinë/ Foto:KALLXO.com

Më 5 gusht 2023, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka njoftuar se fusha e Sportit tek Shkolla ‘Gjergj Fishta’ është renovuar në tërësi!