Flamuri i Serbisë në Beograd, nëntor 2022 Foto: Gentiana Ahmeti/ KALLXO.com

Dveri bën thirrje për anulimin e stërvitjes ushtarake ‘Ujku i Platinit’

Lëvizja e djathtë Dveri, më 10 prill, bëri thirrje ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, që të anulojë stërvitjen e paralajmëruar ushtarake ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, në të cilën marrin pjesë anëtarë të aleancës së NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Deputeti i kësaj lëvizjeje në Parlamentin e Serbisë dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Borko Pushkiq, u tha gazetarëve para ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes se vendimi për mbajtjen e stërvitjes “është antikushtetues dhe krijon dyshime se qeveria nuk po zbaton politikë sovrane, por po përmbush urdhrat e ambasadorit amerikan (në Serbi) Christopher Hill”, raporton Beta.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me çështjen e kësaj stërvitjeje ushtarake dhe as nuk ka pasur një iniciativë të tillë.

Pushkiq tha se vendimi për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake ishte “i kundërligjshëm”, sepse menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Qeveria e Serbisë ka vendosur që të pezullohen të gjitha aktivitetet që lidhen me stërvitjet me partnerët e huaj. Ai nuk saktësoi pse mendon se vendimi, siç tha ai, është i kundërligjshëm.

“Serbia është nën presion të vazhdueshëm për t’iu bashkuar histerisë kundër Rusisë”, tha Pushkiq, duke shtuar se qëllimi i SHBA-së është që të ndërpresë bashkëpunimin strategjik ndërmjet Serbisë dhe Rusisë në fushën ushtarake, gjë që, siç ka theksuar ai, e ka ndihmuar shumë Serbinë.

Beogradi zyrtar është kritikuar më parë nga Perëndimi për bashkëpunimin e tij ushtarak me Rusinë, pasi Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

I pyetur për pasojat lidhur me marrëdhëniet me Rusinë, për shkak të stërvitjes, Pushkiq tha se nga Moska është thënë se do të mbikëqyrin me kujdes mirëmbajtjen e saj dhe se është në interesin e Rusisë që Serbia të mbetet ushtarakisht neutrale.

SHBA: Jemi të lumtur që jemi pjesë e “Ujkut të Platinit”

Ambasada e SHBA-së në Serbi mirëpret vendimin e Serbisë për të organizuar një stërvitje ushtarake me partnerët e saj globalë të paqes.

Në një përgjigje nga Ambasada amerikane nw Serbi për Radion Evropa e Lirë, dërguar më 7 prill, thuhet se SHBA-ja e vlerësojnë partneritetin ushtarak me Serbinë dhe kanë respekt të madh për ushtrinë serbe dhe udhëheqjen e saj.

“Ne angazhohemi për një partneritet të fuqishëm dypalësh ushtarak dhe mbrojtës me Serbinë, të fokusuar në qëllimet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe globalisht”, ka thwnw Ambasada e SHBA-së në Serbi.

“Jemi të lumtur që jemi pjesë e Ujkut të Platinit”, thuhet ndër të tjera në përgjigje, duke shtuar se puna e përbashkët ndërton lidhje miqësie dhe besimi që u mundëson të dyja palëve të kontribuojnë bashkërisht për paqen.

Kremlini: Rusia do t’i përcjellë me kujdes stërvitjet e Serbisë dhe NATO-s

Ndërkohë, Kremlini njoftoi se stërvitjet ushtarake që Serbia do t’i zhvillojë me trupat e NATO-s “nuk do të kalojnë pa u vënë re” në Rusi.

“Sa u përket stërvitjeve, sigurisht që do t’i përcjellim me shumë kujdes”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.

Siç raportoi Beta, Peskov shtoi se Beogradi “është nën presion të paparë për ta tërhequr Serbinë në anën e atyre që i përmbahen qëndrimit anti-rus”.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar më 4 prill se kah mesi i qershorit, në jug të Serbisë do të mbahet stërvitja “Ujku i Platinit”, në të cilën do të marrin pjesë ushtritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbisë dhe dhjetë vendeve partnere.

Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës fqinje.

Asokohe, Beogradi zyrtar njoftoi se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, por edhe se Ushtria e Serbisë, duke pasur parasysh politikën e neutralitetit ushtarak, i pezullonte të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerët e huaj, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, deri në një vendim të ardhshëm.

Më 5 prill, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i tha Radios Evropa e Lirë se moratoriumi mbetet në fuqi, ndërkaq stërvitja “Ujku i Platinit” është një përjashtim nga ai moratorium./ REL