Ilustrim: Porti i Durrësit

Durrës, arrestohen dy kosovarët që tentuan të kalojnë në portin e Durrësit me dokumente false

Policia e Durrësit sot ka arrestuar tre persona, prej të cilëve dy shtetas të Kosovës, të cilët tentuan të kalojnë kufirin përmes portit të Durrësit me dokumente të dyshuara false.

“Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, shtetasit: A. K., 46 vjeçe dhe E. K., 22 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, pasi në PKK Port Durrës, kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 karta identiteti dhe 2 leje drejtimi të dyshuara të falsifikuara”, njofton policia.

Po ashtu është arrestuar edhe një 49-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim më herët, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Krujës kanë bërë ndalimin e shtetasit në kërkim P. K., 49 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike””, bën me dije policia.

Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme./TopChannel