Durmishi: Ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë pritet të nisë në vitin 2023

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se ende nuk dihet shuma e cila do të investohet në rrugën që pritet ta lidhë Prizrenin me Tetovën.

Ai tha se ky projekt është në fazën fillestare dhe ndërtimi i rrugës pritet të nisë pas dy vitesh.

“Ende nuk është shpenzuar asnjë cent për rrugën Prizren-Tetovë dhe nuk është ndarë fare buxhet për këtë rrugë sepse ne jemi në fazën kur Maqedonia e Veriut e ka bërë një studim fizibliteti. Kur të dimë saktë projektin, do ta dimë edhe koston se sa do të kushtojë. Ndarjet e buxhetit do të mundohemi të gjejmë edhe forma të ndryshme, të dy shtetet, të aplikojmë në fondet e IPA-s.”, deklaroi numri dy i Ministrisë së Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë se projekti që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut nuk është autostradë, por një rrugë me gjerësi prej gjashtë metrash.

“Është fazë e hershme, edhe viti 2022 neve do të na shkojë vetëm në fazën e projektimit, diku planifikojmë në vitin 2023 ne të fillojmë me ndërtimin e kësaj rruge. Për pjesën e Kosovës i kemi dy opsione, njëri që del në Reçan dhe pastaj në Prizren dhe tjetri që del në daljen jug të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe kjo është shumë e rëndësishme. Keni parasysh, kjo nuk është autostradë, është rrugë gjashtë metra gjerësia e rrugës, nuk është autostradë”, deklaroi Hysen Durmishi në RTV Dukagjini.

Mbi këtë projekt ditë më parë foli edhe ministri, Liburn Aliu.

Rruga Prizren-Tetovë, mbi 150 milionë euro investim me tunelin mbi 6 kilometra

www.kallxo.com