Durmishi: 37% e rrugëve pa kontrata për sinjalistikë

Hysen Durmishi, zv/ministër i Infrastrukturës ka deklaruar sot se një numër i madh i projekteve rrugore nuk kanë fare të paraparë sinjalistikën.

Ai tha se kanë gjetur numër të madh të projekteve të cilat kanë qenë të bllokuara dhe me vite të tëra nuk janë zhvilluar punimet aty.

Durmishi këto deklarata i bëri gjatë një konferencë të cilën e mbajti së bashku me drejtorin e Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Polici, Jeton Rexhepi.

“Kanë mbetur vend punishtet në shumë vende të pasiguruara dhe në shumë vende pa sinjalistikën e duhur sa i përket aspektit të sigurisë rrugore”, tha Durmishi.

Durmishi apelon që të gjitha kompanitë që punojnë në ndërtim të rrugëve të sigurojnë vend punishten.

“Të gjitha kompanitë që punojnë në ndërtim të rrugëve në bazë të kushteve të kontratës kanë obligim që ta sigurojnë vend punishten që ta kenë sinjalistikën e nevojshme në mënyrë që qarkullimi edhe të zhvillohet pa pengesa por edhe të mos ndodhin aksidente në komunikacion për shkak të mungesës së sinjalistikës”, shtoi ai.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi tha se Policia e Kosovës ka bërë një inspektim të të gjitha punimeve që sipas tij janë 50 inspektime apo takime me përgjegjësit e punimeve.

“Deri më tani janë 10 masa ose 10 gjoba që janë realizuar ndaj përgjegjësve të cilët nuk kanë sinjalizimin e mjaftueshëm dhe të duhur për t’i siguruar pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, tha Rexhepi.