Aksioni i PSD-së kundër ndryshimeve në ligjin e KPK-së, Foto: KALLXO.com

‘Dua të bëhem prokuror’- PSD kundërshton projektligjin për KPK-në

Para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, më 07.03.2024, Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur aksion protestues kundër Ligjit të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Aksioni u mbajt para se Kuvendi i Kosovës të miratonte në parim Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ky projektligj u miratua në lexim të parë, nga ligjvënësit ne seancën e së enjtes (07.03.2024).

Ndërkaq, si pjesë e aksionit të PSD-së, kukulla me fytyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u vendos para dyerve të Kuvendit, kishte në dorë një pankartë ku shkruante: “Dua të bëhem prokuror. Të dashur deputetë votojeni ligjin për KPK-n. Përmes këtij ligji na mundësohet kontrolli efektiv mbi Prokurorinë e Shtetit. Në këtë mënyrë propagandën dhe sulmet politike mund t’I shndërrojmë në aktakuza juridike. Kështu, ndekja penale bëhet përndjekje politike, kështu arrihet synimi Krejt dhe Drejt. I juaji, Albin Kurti”.

Përmes këtij aksioni PSD-ja bëri thirrje të mos votohet Ligji për KPK-në pasi sipas tyre ky ligj mundëson ndikimin e partisë në pushtet në zgjedhjen e vetë Kryeprokurorit të Shtetit.

“Prej se ka nisur punën, në fakt prej se kanë nisur mandatin, Qeveria Kurti, është drafti i tretë mbi KPK-në, draftin e parë i kanë rënë shkurt, katër anëtarë i zgjedhin prej Kuvendit me shumicë të thjeshtë dhe tre prej prokurorëve. Kjo i bie që Kryeprokurorin të mund ta zgjedhë kryeministri”- tha Zgjim Hyseni nga PSD-ja.

Sipas Hysenit, partia në pushtet ka synon që të zgjedh Kryeprokurorin, dike e rritur numrin e anëtarëve të KPK-së.

“Këshilli aktual i ka 13 anëtarë, e kanë rritë këshillin aktual për periudhën tranzicionale në 18, plus 5 anëtarë krejt. Secili prej tyre do të zgjidhet prej Kuvendit, pra me kriju shumicën tash në mënyrë që me zgjedhë Kryeprokurorin. E Kryeprokurori është një prej anëtarëve në atë përbërjen 4 me 3, pra matematika e tyre është një e kam në mendje, pra duan ta zgjedhin Kryeprokurorin duke e rritur këshillin aktual”-ka deklaruar Hyseni.

Më 12.07.2023, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për KPK-në.

Ndërkaq dy partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në korrik të vitit 2022 e patën dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese projektligjin në fjalë.

Pas kësaj, Kushtetuesja e kishte shpallur të pavlefshëm projektligjin.

Kushtetuesja ishte  konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Sipas vendimit të gjykatës, ligji binte ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e kishte dërguar më pas ligjin për mendim në Komisionin e Venecias.

I njëjti ishte proceduar në Kuvend  nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Pas kësaj, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmes një konference për media kishte deklaruar se Komisioni i Venecias nuk e kishte rekomanduar zgjerimin e anëtarëve të KPK-së.

“Vështirësitë që Kuvendi mund t’i ketë që t’i zgjedh një numër aq të madh të anëtarëve të KPK-së, po ashtu mundësitë tona kushtetuese, fakti që të gjithë këta anëtarë zgjedhën me shumicë të thjeshtë në Kuvend dhe ashtu siç parasheh Kushtetuta jonë” – kishte deklaruar Haxhiu më 18.12.2023, pas pjesëmarrjes që kishte pasur në Komisionin e Venecias.