Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Driton Ukmata, kandidati i dytë i cili tërhiqet nga konkursi për drejtor të SHSKUK-së

Driton Ukmata është tërhequr nga gara për Drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, duke akuzuar se n proces ka shkelja ligjore.

Ukmata kishte konkurruar në konkursin për drejtor të ShSKUK-së dhe e kishte kaluar fazën e parë. Ai i kishte plotësuar kriteret minimale të konkursit dhe ishte kualifikuar në garën për drejtor.

Përmes një e-maili që ka siguruar KALLXO.com, Ukmata i është drejtuar bordit të konkursit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, duke njoftuar për tërheqjen nga ky konkurs.

Në e-mailin e Ukmetës thuhet se bordi ka bërë shkelje ligjore duke zgjatur konkursi pa asnjë arsye ligjore.

“Aplikimin e kam bërë me gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe në afatin kohor të përcaktuar me konkurs. Çuditërisht, konkursi është zgjatur për më shumë se një muaj edhe pse ishin plotësuar të gjitha normat ligjore të konkursit. Bazuar në njoftimin e datës 20.01.2021 për kandidatët që plotësojnë kushtet, kam vërejtur se kemi qenë tre kandidatë që kemi aplikuar me kohë dhe kemi plotësuar kushtet për garë të mëtutjeshme. Por konkursi prapë se prap është zgjatur pa asnjë arsyeshmëri ligjore. Kjo është shkelja e parë ligjore që është bërë. Konsideroj që konkursi është zgjatur për të futur në listë kandidatë që nuk kanë aplikuar herën e parë. Ligjërisht, konkursi nuk mund të zgjatet pa nevojë, i njejti ose duhet të vazhdojë me kandidatët që kanë aplikuar në fazën e parë ose duhet të anulohet. Çdo veprim tjetër është shkelje e ligjit”, ka shkruar Ukmata.

Ukmata tutje ka shkruar edhe për kërkesën e tij që në konkurs të angazhohet për monitorim edhe Ambasada Angleze por që kërkesa e tij nuk është marrë parasyshë.

“Kam kërkuar transparencë maksimale. Kam propozuar angazhimin në monitorim nga Ambasada Angleze. Kjo kërkesë duket se nuk është marrë parasysh nga bordi i SHSKUK-së apo komisioni vlerësues. Jam informuar se edhe kërkesat e shoqërisë civile, të cilat kanë kërkuar me të drejtë monitorim të procesit nuk kanë marrë përgjigje”, thuhet në e-mailin e Ukmetës.

Për këtë konkurs BIRN ka dërguar kërkesë për monitorim mirëpo deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga bordi i SHSUKUK-së.

Ukmata në emailin e tij ka thënë se është tërhequr nga ky konkurs për shkak të politizimit të tij.

“Me keqardhje ju informoj që për shkak të politizimit të skajshëm, në këto kushte, nuk dëshiroj të jem më pjesë e një procesi të tillë të përzgjedhjes, epilogu i të cilit tashmë dihet nga të gjithë. Konsideroj se ky proces I përzgjedhjes e ka humbur legjitimitetin dhe duhet të përsëritet nga e para si dhe të menaxhohet dhe monitorohet nga një subjekt i pavarur”, ka shkruar Ukmata.

KALLXO.com ka raportuar edhe për kandidatin Saudin Maliqi i cili është tërhequr nga ky konkurs.

Maliqi kishte konkurruar në konkursin për drejtor të ShSKUK-së dhe e kishte kaluar fazën e parë. Ai i kishte plotësuar kriteret minimale të konkursit dhe ishte kualifikuar në garën për drejtor.

“Konkursi për drejtor të ShSKUK sa e humbi kuptimin, tërhiqem nga gara e konkurrimit të mëtejmë”, ka thënë Maliqi për Kallxo.com.

Maliqi, ka qenë këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj deri më datën 9 nëntor.

Tërheqja e tij nga gara për drejtor është bërë në ditën kur ShSKUK-ja përmes një njoftimi bëri të dituar se pjesë e listës së ngushtë është edhe u. d. drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Valbon Krasniqi.

Njësia e Burimeve njerëzore në ShSKUK fillimisht e kishte eliminuar Krasniqin nga gara me arsyetimin se i njëjti nuk e plotësonte kriterin e konkursit për përvojë të punës në nivel menaxherial.

Në konkursin e shpallur për drejtor të ShSKUK-së është kërkuar që kandidatët duhet t’i kenë 10 vjet përvojë pune, prej të cilave 5 vite në nivel menaxherial-drejtues të institucioneve të nivelit dytësor, apo tretësor të kujdesit shëndetësor, ose organizatave me aktivitet të veçantë në fushën e menaxhmentit shëndetësor.

Emri i Krasniqit u përfshi në listën e ngushtë pas ankesës së paraqitur në ShSKUK.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në të gjitha dosjet e kandidatëve, duke përfshirë ankesat dhe përgjigjet në ankesa që i ka dhënë ShSKUK.

Valbon Krasniqi ishte kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme nacionale të vitit 2017. Kurse Saudin Maliqi ka qenë këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që vije nga LDK-ja.

BIRN ka dërguar te bordi i ShSKUK-së dhe te ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kërkesën për monitorim të konkursit për drejtor të ShSKUK-së. Ministri Zemaj e ka miratuar kërkesën, ndërsa bordi i ShSKUK-së ende nuk është përgjigjur në kërkesën e BIRN-it të dërguar 2 javë më parë.