Katër kandidatë hyjnë në listën e ngushtë për drejtor të ShSKUK-së
Katër kandidatë i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e konkursit për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe të njëjtit pritet t’i nënshtrohet testit me shkrim. Kandidatët që kanë hyrë në garë për të parin e ShSKUK-së janë: Dr. Suadin Maliqi, Dr. Gani Halilaj, Dr. Driton Ukmata dhe Dr. Basri Lenjani.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShKUK-së, Valbon Krasniqi nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret e konkursit dhe është eliminuar nga gara për drejtor. Krasniqi, siç thuhet në njoftim, nuk e ka plotësuar kriterin e përvojës menaxheriale. Për të udhëhequr ShSKUK-në kishte aplikuar edhe Dr. Gloria Stuka, por është eliminuar pasi nuk e ka plotësuar kriterin e përvojës menaxheriale.
Në konkursin e shpallur për drejtor të ShSKUK-së është kërkuar që kandidatët duhet t’i kenë 10 vjet përvojë pune, prej të cilave 5 vite në nivel menaxherial drejtues të institucioneve të nivelit dytësor apo tretësor të kujdesit shëndetësor, ose organizatave me aktivitet të veçantë në fushën e menaxhmentit shëndetësor.
Kandidatët që janë eliminuar nga gara, sipas njoftimit të ShSKUK-së, kanë të drejt ankese. Vlerësimi i dokumentacioneve dhe publikimi i listës preliminare është bërë nga Sektori i Burimeve Njerëzore në SHSKUK, bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik.
Në ditën kur ishte mbyllur konkursi për drejtor, Bordi i ShSKUK-së i kishte ndërruar tre anëtarëve të komisionit vlerësues.
Njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues që është larguar nga ky komision është këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Diellor Rizaj, i cili është edhe anëtar i bordit të ShSKUK-së.
Gara për kreun e ShSKUK-së, bordi i ndërron tre anëtarë të komisionit vlerësues
www.kallxo.com