Foto: Driton Toni Kuka/Facebook
Driton Kuka: Jemi të hendikepuar, shumica e vendeve te BE-së nuk i njohin testet e IKSHPK-së
Trajneri i Kosovës në Xhudo, Driton Kuka përmes një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me pamundësinë e pjesëmarrjes në shumë gara nëpër Evropë pasi kjo e fundit nuk po i njeh testet PCR të Institutit në Kosovë.
Kuka ka shtuar se ekipi ka qenë vetëm në Koraci dhe Turqi pasi federatat e tyre i kanë njohur testimet.
“E postova një foto nga Kampi në Poreç muajin e kaluar! Përveç Kroacisë ekipi ynë ishte edhe në Turqi,këto dy shtete dhe federatat e tyre i njohin testet PCR të IKSHPK dhe kjo êshtë për çdo lavdatë e falenderim prejt nesh dhe vlerësim e besueshmëri për shtetin tonë. Shtetet e EU shumica në mos krejt spo i pranojnë këto testime dhe rrjedhimisht ekipi ynë po ka probleme si edhe shumë ekipe e edhe njerëzit që posedojnë viza turistike për të udhëtuar”, ka shkruar Kuka.
Ai tutje ka thënë se është munduar të kontaktojë me ambasada të shumta në Kosovë për të cilat thotë se do duhej të angazhoheshin më shumë në këto kohë të jashtëzokonshme.
Sipas Kukës edhe pse numrat në Kosovë po bien, ata janë të hendikepuar dhe në plan të dytë.
“Kam kontaktuar disa Ambasada të shtetit tonë dhe deri tash ska asnjë informatë për këtë çështje,normalisht do duhej që të angazhohen për ma shumë informata,jemi në kohë të jashtëzakonshme dhe angazhimet duhet të jenë të tilla! Sot në Austri do duhej të jemi por se patëm këtë mundësi që e kanë shtetet që atje udhëtuan.
Deri kur do jemi të hendikepuar,numrat në Ks po bijnë dukshëm dhe kemi situatë më të mirë se shumica e vendeve të EU por Kosova gjithmonë në plan të dytë”, ka shtuar tutje Driton Kuka.