Drenas, Ish- shefi i inspektoriatit dënohet pse nuk rrënoi 14 banesa pa leje

Gjykata në Prishtinë, sot dënoi me 6 muaj burgim me kusht Halil Vrellakun, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata e gjeti fajtor sepse duke qenë shef i inspektoriatit në Komunën e Drenasit nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta penguar ose më pas rrënuar një mbindërtim edhe pse e dinte që ai ishte pa leje.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër 5 në Drenas ndërtoi pa leje një kat në nën kulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1 mijë e 800 metra katrorë.

Aktakuza precizonte se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka mbajtur për vete.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

Shefi i inspektoratit, Halim Vrellaku akuzohet se nuk ka ndërmarrë asgjë për ta penguar, ose më pas rrënuar mbindërtimin, edhe pse e dinte që ishte pa leje.

Gjykata e instancës së parë Hyrije Xhemajlaj- Thaçin e kishte dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa Halim Vrellakut i kishte shqiptuar burgim me kusht prej 1 viti.

Me datën 7 shkurt 2018 Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim.

Gjykata e shkallës së parë e kishte liruar Hyrje Xhemajlin Thaçin ndërsa Halim Verllakun e  kishte dënuar 6 muaj me kusht.