Drejtori i Urbanizmit në Gjilan del para gjykatës
Bekim Bajrami, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, ka dalur para gjykatësit në Gjilan për tu përballur me akuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë pasi që nuk e ka kryer atë vepër penale.
“Nuk e pranoj fajësinë pasi konsideroj që e kam kryer punën time sipas ligjit”, tha shkurt i akuzuari Bajrami.
Sipas Prokurorisë gjatë vitit 2019, i akuzuari Bajrami duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Mjedisor në Komunën e Gjilanit ka anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson (Komunës së Gjilanit) dhe e ka zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “ Livadhet e Arapit 1”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore.
Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Bajrami lejet ndërtimore i ka lëshuar për dy kompani ndërtimi edhe atë për kompaninë SH.P.K. “City Project-3”, me pronar Fatmir Daku dhe për kompaninë SH.P.K. “Mabb Home”, me pronar Musah Bunjaku.
Seanca e sotme u shty për t’i dhënë mundësi të akuzuarit të bëjë kundërshtimin e aktakuzës.