Drejtori i Policisë së Kosovës takohet me drejtorin e DOJ-ICITAP-it amerikan

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti dhe përfaqësues të Policisë dhe të DOJ- ICITAP-it, Ambasada e ShBA-ve në Kosovë, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë takuar me drejtorin e DOJ-ICITAP-it Amerikan Gregory Ducot.

Gjatë këtij takimi janë diskutuar tema mjaft të rëndësishme në interes të organizatës policore, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Ky takim kishte për qëllim të rrisë edhe më tej bashkëpunimin dhe avancimin drejt shkëmbimit të informacioneve, ofrimit të trajnimeve dhe përvojave më të mira ndërkombëtare në interes të organizatës policore, të cilat shërbejnë në zhvillimin dhe avancimin profesional të Policisë edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës falënderon DOJ-ICITAP-in Amerikan për përkrahjen dhe mbështetjen në realizimin e kësaj vizite mjaft të rëndësishme për Policinë e Kosovës, thuhet në njoftim.