(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Drejtori i Operacioneve: Policia e Kosovës ka kapacitete për të larguar barrikadat

Drejtori i Operacioneve i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia ka kapacitete për të larguar barrikadat e vendosura në rrugët e komunave në veri të vendit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Policia e Kosovës ka plan të detajuar për ndërhyrje në çdo barrikadë.

“Policia e Kosovës ka kapacitete për të larguar barrikadat. Policia e Kosovës ka njerëzit e trajnuar dhe të përgatitur dhe ka pajisje për të larguar ato barrikada. Policia e Kosovës ka plan të detajuar për ndërhyrje në çdo barrikadë dhe do ta bëjmë këtë atëherë kur vlerësohet që pasojat do të jenë minimale” – ka thënë ai.

Hoxha tutje ka thënë se barrikadat do të largohen kur të bëhet një vlerësim i drejtë që interesi i shtetit, policëve dhe qytetarëve të mos ketë pasoja.

“Barrikadat do të largohen në momentin që bëhet një vlerësim i drejtë dhe në momentin që vendoset që interesi i shtetit tonë, i qytetarëve tonë, i policisë tonë do të ketë më së paku pasoja gjatë veprimeve tona. Në momentin që e bëjmë një vlerësim të tillë atëherë do të kryhet edhe puna e ndërhyrjes” – ka thënë ai.

I pyetur nëse po pritet një urdhër administrativ ose politik për heqjen e barrikadave, Hoxha ka thënë se ai zbaton urdhrat e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

“Unë marr urdhra direkt nga drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe kurdo që urdhri do të jepet ne do ta zbatojmë”- është shprehur Hoxha.

Ai tutje ka thënë se për heqjen e barrikadave, Policia e Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm më forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm më KFOR në Prishtinë dhe komandat lokale, komunikimin e kemi të shëndoshë. Siç ka thënë edhe kryeministri KFOR-i ka kërkuar një kohë të caktuar që të merren më çështjen e barrikadave por ne jemi të koordinuar me ta dhe të shohim si do të veprojmë me qëllim të largimit të barrikadave”- ka thënë ai.

Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që kanë bllokuar.

Janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në këto katër komuna që përpos cenimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve kanë bërë që të mbyllen edhe dy pikat e kalimit kufitar që lidhin Kosovën me Serbinë, atë në Jarinjë dhe në Bernjak.

Më 18 dhjetor, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.