Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: E kishin rrëmbyer vajzën në Prizren dhe nga prindi i saj kishin kërkuar 470 mijë marka gjermane

Në Gjykatën e Prizrenit sot, 28.05.2024, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të pandehurit N.P. nga Prizreni, i akuzuar për veprën penale – rrëmbim.

Ngjarja pretendohet se ka ndodhur në vitin 2001.

Gjatë seancës, avokati i Klodian Krasniqi tha se i mbrojturi i tij mbrohet në heshtje ngase ndaj tij janë bërë disa shkelje të të drejtave, të cilat i ka të garantuara me Kushtetutë e po ashtu me dispozitat e tjera në fuqi, “duke pasur parasysh që kjo vepër pretendohet të jetë kryer në vitin 2001”.

Sipas avokatit, i akuzuari po gjykohet me dispozitat ligjore që janë më të disfavorshme.

Ndërsa, i akuzuari deklaroi se pajtohet me fjalët e mbrojtësit, dhe se mbetet pranë deklaratave që ka dhënë në procedurën hetimore policore dhe prokurori.

Prokurori Genc Nixha kundërshtoi pretendimet e palës mbrojtëse.

“Përjashtoj pretendimet nga pala tjetër që Prokuroria të ketë bërë shkelje të të drejtave kushtetuese, do të thotë që mohoj shkeljen e të drejtave të njeriut’’ – tha prokurori Nixha.

Kujtojmë që për të akuzuarit N.P. dhe A.H., Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë më 22.12.2020.

Ndërsa, hetimet për të njëjtin rast Prokuroria i kishte filluar në vitin 2001.

Të akuzuarit pretendohet se më 07.01.2001 në ora 20:30, në Prizren, në bashkëkryerje kryejnë rrëmbimin e të dëmtuarës P.K., në atë mënyrë që në natën kritike para shtëpisë së viktimës duke shfrytëzuar edhe momentin që në atë lagje nuk ka pasur energji elektrike kanë futur në një automjet të dëmtuarën, me ç’rast e dërgojnë në shtëpinë e të pandehurit A.A..

I pandehuri A.A. akuzohej për të njëjtën vepër penale, e për të cilin ishte ngritur aktakuza më 28.07.2023, por që i njëjti kishte lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë më 14.06.2023 dhe që nga ajo kohë është në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues.

Në shkresat e lëndës thuhet që i akuzuari kishte kërkuar shumën 470,000 marka gjermane nga prindërit e të dëmtuarës.

Të dëmtuarit paratë në fjalë ia kanë dorëzuar vozitësit të autobusit për t’i përcjellë te të akuzuarit, të cilët pas 24 orësh vajzën e rrëmbyer e kanë liruar në një gjendje shumë të rëndë fizike dhe psikike.

Tutje, lidhur me rastin, i akuzuari N.P. gjendet në masën e paraburgimit që nga data 24.10.2020.