Dosja e Prokurorisë: Arrestime masive, grupi ‘Albkings’ publikoi numrin e gazetares së KALLXO.com

Arrestime masive janë kryer në javët e fundit në Kosovë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në lidhje me grupin e njohur për intimidim, shqetësim e ngacmim të grave e të vajzave në platformën Telegram – “Albkings”.

Në këtë grup pa autorizim është shpërndarë edhe numri i një prej gazetareve të KALLXO.com. (Emrin e së cilës redaksia ka vendosur mos ta publikojë).

Më datë 06.05.2024, gazetares së KALLXO.com i ishte shpërndarë numri personal i telefonit pa autorizim.

Publikimi i numrit të gazetares u bë pas publikimit të një hulumtimi në lidhje me një rast të dhunës në familje, ngjarje kjo e cila ishte publikuar më 05.05.2024.

Disa orë më vonë, rasti është raportuar dhe denoncuar edhe në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa nisën edhe arrestimet. Policia i arrestoi 7 persona të dyshuar. Sipas Prokurorisë së Prishtinës grupi është mbyllur përfundimisht.

“Ju njoftoj se prokuroria Themelore në Prishtinë së bashku me Policinë e Kosovës konkretisht Krimet Kibernetike ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryerësit e veprës penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve, andaj falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarë kemi arritur që këtë rast delikat sa i takon identifikimit të kryersve të veprave penale kanë kryer edhe arrestimet e personave në një afat të shkurt kohor të dyshuar”- ka thënë Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi në një konferencë për media më 30.05.2024.

“Ka qenë rast delikat, falë bashkëpunimit me Policinë, drejtorinë e krimeve kibernetikë, dhe i falënderoj për profesionalizimin e lartë sa i përket hetimit dhe zbulimit të kësaj vepre penale brenda një periudhë të shkurtë kohore, duke arrestuar sot, i kemi gjithsej 7 persona që janë në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të vazhdimit dhe të zgjerimit të hetimit edhe për personat e tjerë”- shtoi ai.

Kryeprokurori Gashi ka thënë tutje edhe se në të njëjtin grup qytetarëve të ndryshëm u janë publikuar edhe fotografi e video të ndryshme intime që kanë krijuar një pasiguri te qytetarët e Kosovës.

“Marrë parasysh se në këtë fazë jemi duke hetuar ende, në vazhdimësi, kërkojmë nga të na kurseni nga pyetjet e juaj lidhur me rastin në fjalë pasi mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Për arsye se ka gjasa reale, që ky rast do të zgjerohen hetimet sa i përket personave dhe veprave penale të cilat do të akuzohen personat e tjerë. Ka qenë rast delikat, falë bashkëpunimit me Policinë, Drejtorinë e Krimeve Kibernetike dhe i falënderoj për profesionalizimin e lartë sa i përket hetimit dhe zbulimit të kësaj vepre penale brenda një periudhë të shkurtë kohore”- tha ai.

Për cilat vepra penale dyshohen administratorët e grupit?

Prokuroja e rastit, Elza Bajrami dha detaje në lidhje me arrestimet e të dyshuarve.

“Më 16.04. 2024 është lëshuar aktvendim për ndalim ndaj E.N, njëri prej administratorëve të këtij grupi. Ndërsa brenda afatit ligjor është paraqit kërkesa për paraburgim. E cila masë sipas kërkesës sonë është bazuar nga Gjykata me aktvendim edhe për dy muaj të tjerë. I njëjti dyshohet për veprën penale ‘vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje’” – tha ajo.

Sipas prokurores, më 23.04.2024 është ndaluar edhe personi i dytë, një grua me inicialet E.S., e cila cila ka qenë njëra nga administratorët në grupin në fjalë. E njëjta dyshohetpër veprën penale në bashkëkryerje “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

“Edhe ndaj kësaj të pandehure, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila masë i është vazhduar edhe për dy muaj nga gjykata” – tha Bajrami më 30.05.2024, në konferencën për media.

Me tej ajo ka dhënë detaje edhe rreth arrestimit të personit të tretë, si i dyshuar për rastin në fjalë.

“Më 23.05.2024, pas hetimeve të vazhdueshme intensive drejtë identifikimit të të gjithë personave që kanë kryer këtë vepër penale,  prokuroria ka lëshuar aktvendim për ndalimin e personit të tretë F.P, administrator kryesor dhe krijues i grupit , i cili në bashkëkryerje me dy të pandehurit tjerë dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur. Ndaj të njëjtit Prokuroria ka parashtrua kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtit me vendim të Gjykatës i është caktuar masa në kohëzgjatje prej një muaji”- tha ajo.

Grupi ka arrtitur të mbyllet përfundimisht, theksoi prokurorja e rastit.

“Në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve Kibernetike, ne kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht, edhe përkundër faktit që nga mbyllja e parë, ky grup është rihapur për dy herë te tjera. Përfundimisht i njëjti grup është mbyllur.”

“7 persona të dyshuar janë arrestuar, ju sigurojmë që Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar edhe në disa pista të tjera të hetimit, sepse në sajë të grumbullimit të informacioneve,  dyshohet se te njëjtit mund të jenë kryerës të disa veprave të tjera penale”- theksoi Bajrami.