Dosja e fajdesë - Për 11 mijë euro të dëmtuarit u detyruan t`i kthejnë 78 mijë euro

Prokuroria e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë për fajde kundër të pandehurit Beqir Hoxha.

Sipas vendimit që KALLXO.com ka siguruar thuhet se 11 mijë euro borxh u morën nga të dëmtuarit ndërsa u detyruan që t’i kthejnë gati shtatë fish më shumë për shkak të kamatave të cilat i kishte vendosur personi i dyshuar që ua dha paratë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Beqir Hoxha, nga muaji qershor 2016 deri më datë 22 gusht 2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F. S., dhe prindit të tij.

Sipas aktakuzës pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar – zdrukthtari, fillimisht babai i të dëmtuarit, në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri Beqir Hoxha, shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.

Sipas Prokurorisë i dëmtuari nga viti 2016 e deri në prill të vitit 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, ka vazhduar të paguajë kamata mujore duke i dhënë në total shumën prej 49 mijë e 200 euro (49,200).

Sipas Prokurorisë, i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, i dëmtuari merr nga i pandehuri B. H., shumën e të hollave prej 3 mijë euro ndërsa nga i njëjti në muajin mars merr 2 mijë euro. I dëmtuari paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë 500 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji mars 2018 e deri në muajin janar 2023 në emër të shumës prej 5 mijë euro, vazhdon të paguajë kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit 29 mijë euro.

Në total, sipas Prokurorisë, i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 euro.

Kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguajë kamatat, i pandehuri e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, i dëmtuari për çdo vonesë duhet të paguajë nga 200 euro kamata ditore me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22 gusht 2023, i pandehuri merr 12,800 (dymbëdhjetë mijë e dyqind) euro dhe arrestohet në flagrancë.

Shqyrtimi lidhur me këtë rast është caktuar që të mbahet të premten në ora 09:15.