Dorëshkrimet e Pjetër Bogdanit ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

Shtatë dorëshkrime të dhe për Pjetër Bogdanin, të panjohura deri më sot, të zbuluara në Arkivin e ‘Propaganda Fide’ në Vatikan nga studiuesi Bejtullah Destani janë ekspozuar sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë”, në kuadër të ekspozitës “Cuneus”.

Ekspozita “Cuneus” e hapur në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani” me dorëshkrimet e pabotuar më parë, hapet me rastin e e 330 vjetorit të vdekjes së Bogdanit.

Përveç dorëshkrimeve të Bogdanit dhe për Bogdanin, në kuadër të ekspozitës “Cuneus” janë ekspozuar edhe vepra dhe materiale tjera që ruhen në Bibliotekën Kombëtare për Bogdanit.

Drejtori i BK “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, ka pohuar me këtë rast se ekspozita është një rast i veçantë që biblioteka të zbërthejë një koncept ideal të vjeljes dhe grumbullimit të materialeve për Bogdanin.

“Vepra e Bogdanit, letrat, korrespondencat dhe relacionet e tij nuk janë vetëm predikim për fe, por ato zbulojnë dhe zbërthejnë mbijetesën e kulturës sonë kombëtare”, ka thënë Gajraku.

Kurse Dom Lush Gjergji ka thënë se ekspozita është një rast për të përkujtuar figurë madhor të Bogdanit,  autorin e “Çetës së Profetëve”, vepra e parë origjinale në gjuhën shqipe, që për tre shekuj ishte manual i shumë universiteteve evropiane.

“Bogdani është njeriu i cili e pasqyron më së miri në rrethana të ndryshme situatën kombëtare, fetare, sociale e kulturore të popullit tonë’, ka thënë Dom Lush Gjergji.