Donald Trump: Liderët e Kosovës e Serbisë u përqafuan në zyrën time

Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë përqafuar me njëri tjetrin, në zyrën ovale gjatë takimit më 4 shtator në Uashington.

Trump gjatë një tubimi zgjedhor në Pensilvan, këtë veprim mes dy palëve e ka konsideruar si gjë të bukur për t’u parë.

“Ata po e vrisnin njëri tjetrin për shumë vite. Vrisnin njëri tjetrin. Nuk shkojnë mirë me njëri- tjetrin. Janë sikur palestinezët dhe Izraeli. Dhe u thashë atyre ‘Pse po luftoni dhe vrisni njëri tjetrin’. Ata kanë shumë dallime me njëri- tjetrin, duke përfshirë edhe dallimet fetare, po besoj. U thashë ‘Çfarë po bëni’, dhe ne kemi marrëdhëniet tregtare me dyjat palët, kshtu që kemi fuqi. Kështu që u thashë ‘Dëgjoni, le të bëjmë një marrëveshje.’ Le të bëjmë një paqe ekonomike dhe paqe përfundimtare. Erdhën në zyën time, në zyrën ovale. Ata përqafuan njëri- tjetrin dhe ishte një gjë e bukur për t’u parë. Shpëtuam shumë jetëra”, tha Trump.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.