Doganierët serb që ofruan dorëheqjen nuk janë paguar, flet drejtori i Doganës

11 zyrtarë serbë dhe boshnjakë që kanë ofruar dorëheqjet e tyre javë më parë nuk janë paguar pasi që në momentin që kanë ofruar dorëheqje atyre i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

“Marrëdhënia e punës ju ka pushuar në kohën kur kanë ofruar dorëheqje. Ata nuk janë paguar, nuk kemi obligime ndaj tyre”- tha Llugaliu për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi edhe se janë në shqyrtim të procedurave të pranim- dorëheqjeve për shkak se doganierët nuk kanë përfillur procedurat dhe afatet.

Në anën tjetër drejtori i Doganës së Kosovës tregoi edhe se pikat doganore të cilat janë të vendosura nëpër pika kufitare janë duke funksionuar pa ndonjë problem.

Në vend të doganierëve serbe e boshnjakë janë dërguar doganierë të tjerë zëvendësues.

Pas kryetarëve të komunave, zyrtarëve policorë, deputetëve, prokurorëve, gjyqtarëve e asamblistëve, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë ofruar gjatë nëntorit edhe disa doganierë.

KALLXO.com raportoi se mëngjesin e 10 nëntorit doganierë të komunitetit serb dhe boshnjakë pra zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Dorëheqjet ishin dërguar te shefi i ndërrimit në pika kufitare ku edhe janë të vendosur doganierët ndërsa të njëjtat më pas janë bartur  te Dogana e Kosovës.