Dogana konfiskon pjesë rezervë për makineri të rënda në vlerë mbi 7 mijë euro në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka kapur sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara në pikën kufitare, Vërmicë.

Sipas njoftimit, vetura është drejtuar nga një shtetas turk, i cili i pyetur nga zyrtari doganor nëse kishte diçka për të deklaruar për zhdoganim, ai është përgjigjur negativisht.

Ndërsa, pas kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mallrave të padeklaruara “Pjesë rezervë për makineri të rënda”, në vlerë 7 mijë e 900 euro.

“Në hyrje të Pikës Kufitare të Kontrollit në Vërmicë ka arritur një veturë e drejtuar nga shtetas turk. Në pyetjen e zyrtarit doganor nëse kishte diçka për të deklaruar për zhdoganim, ai është përgjigjur negativisht. Pas kontrollit të detajuar në vijën e dytë, së bashku me zyrtarët policorë, është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mallrave të padeklaruara “Pjesë rezerve për makineri të rënda”. Gjatë kontrollit, janë gjetur edhe fatura e blerjes së mallrave. Vlera totale e këtyre mallrave është 7,900 euro”- thuhet në njoftim.

Ndërsa tutje Dogana ka njoftuar se mallrat janë konfiskuar dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.