Dita e Lirisë apo Ankthit më 19 korrik në Angli?
Teksa afrohet e ashtuquajtura “Ditë e Lirisë” në Angli, gëzimi për t’iu dhënë fund kufizimeve për koronavirus është përzier me shqetësime për rritje të numrit të të infektuarve.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka vendosur të fuqizojë Hapin e Katërt të masave – duke iu dhënë fund kufizimeve – të hënën, më 19 korrik.
Kjo nënkupton se bizneset që kanë mbetur të mbyllura, duke përfshirë klubet e natës, do të mund të rihapen.
“Na duhet të gjejmë rrugë për të ecur përpara”, ka thënë Eugene Wild, bashkëthemelues i klubit The Clause në Londër, i cili ka qenë i mbyllur nga marsi i vitit 2020.
Ai parapëlqen testimin e njerëzve para se të hyjnë brenda, mirëpo shqetësohet për një tjetër mbyllje, nëse gjërat shkojnë keq.
“Nuk mendoj se do të mbijetojmë financiarisht, nëse edhe njëherë përballemi me mbyllje”, ka thënë ai, duke folur brenda një salle me kapacitet prej 1.200 personash, e cila do të ketë të drejtë të hapet në mesnatë, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Në Holandë, klubet e natës janë hapur për dy javë, dhe janë mbyllur sërish, ndërsa Izraeli ka rikthyer disa kufizime, për shkak të rritjes së numrit të rasteve.
Johnson e ka pranuar se kur të shfuqizohen masat, një valë e re të të vdekurve dhe të infektuarve do të jetë e pashmangshme, mirëpo ka thënë se dëme ka edhe nga mbyllja e ekonomisë.
Shumë shkencëtarë kanë thënë se varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta, është bërë më dominues në Britani.
Britania është e shtata në botë për nga numri i viktimave me koronavirus në botë.
Deri më tani, ky vend ka vaksinuar dy të tretën e popullsisë me dy doza të vaksinave kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Kjo shifër i ka dhënë besim kryeministrit britanik që të çojë përpara vendimin për heqje të masave.
Sipas tij, vera, kur shkollat janë të mbyllura dhe presioni në sistemin shëndetësor është më i vogël, është koha e duhur për t’u rihapur, ndonëse me kujdes.
Çfarë kufizime do të vazhdojnë të zbatohen?
Vetëm pak prej tyre. Njëra prej tyre përfshin nevojën për t’u vetizoluar nëse dikush infektohet me koronavirus, apo nëse ka qenë në kontakt të ngushtë me dikë që ka dalë pozitiv, ndonëse kjo e fundit nuk do të zbatohet nga 16 gushti për personat nën 18 vjeç, si dhe për ata që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit, të paktën dhjetë ditë para kontaktit. Kufizimet kufitare do të vazhdojnë të zbatohen, varësisht nga statusi i vendit prej nga shkojnë udhëtarët.
Po për maskën?
Vendimi për to do të jetë krejtësisht individual. Megjithatë, ministrat presin që njerëzit të mbulojnë fytyrën në ambientet e brendshme, siç është transporti publik dhe dyqanet. Disa operatorë trenash do të mund të bëjnë kërkesë për vendosje të saj, ndonëse nuk ka bazë ligjore për pronarët e dyqaneve, për të ndaluar hyrjen e personave pa maska.
Rregulla për vendosje të maskës nuk do të ketë as për barnatoret, ku punëtorët bëjnë konsultime fytyrë për fytyrë me konsumatorët.
Çfarë rreth kthimit në punë?
Sërish, ndonëse të gjitha obligimet për punë nga shtëpia do të përfundojnë, qeveria do të ‘rekomandojë” kthim gradual nëpër zyre, derisa ata që mund të punojnë edhe këtë verë nga shtëpia, të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Në ditët e ardhshme, pritet të ketë udhëzime të reja për fazën e rihapjes së disa sektorëve të ekonomisë.
Por sikur edhe me stafin e dyqaneve, punëtorët që janë më të ndjeshëm apo kanë imunitet më dobët, nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë të punojnë nga shtëpia, edhe nëse ambienti i tyre i punës nuk ka kapacitet për distancim fizik, apo nëse kolegët nuk vendosin maska. Ata inkurajohen që të diskutojnë këto çështje me punëdhënësit e tyre.
Çka për organizimet masive, klubet e natës dhe të ngjashme?
Po, këtu ekziston ndryshimi i madh. Në organizimet e mëdha dhe ato me numër të madh të njerëzve në ambiente të brendshme, inkurajohet të kërkohen pasaportat për koronavirus. Kjo nënkupton që pjesëmarrësit duhet të vërtetojnë se kanë marrë dozën e dytë të vaksinës të paktën dhjetë ditë më parë, apo se kanë marrë së fundmi test negativ për koronavirus. Zyrtarët kanë dyshime nëse të gjithë organizatorët do të kërkojnë diçka të tillë, përfshirë klubet e natës, festivalet, ndeshjet e futbollit e tjera.
Çfarë mund t’i shtyjë bizneset që të respektojnë kërkesën për pasaporta?
Asgjë. Zyrtarët e kanë pranuar që nëse një klub nate vendos të mbledhë një numër njerëzish deri në limtin që ka, shtatë ditë në javë, pa ua kërkuar pasaportat, atëherë nga 19 korriku, mund ta bëjë një gjë të tillë. Pasaportat për COVID-19 vetëm do të rekomandohen.
Çfarë njoftime zyrtare mund të presin britanikët?
Disa. Nga dita e hënë, do të publikohen disa dokumente që tregojnë zyrtarisht për masat e reja, dhe çfarë do të zbatohet. Të hënën dhe të martën, do të publikohen udhëzimet për njerëzit që janë jashtëzakonisht të rrezikuar nga virusi, ndonëse këshillat do të kufizohen vetëm në aspektin që këta persona të këtë kujdes kur të dalin jashtë, të kenë kujdes që personat me të cilët dalin, janë të vaksinuar, si dhe të kontaktojnë mjekun personal për dyshime tjera./REL