Foto: KALLXO.com

Dita Botërore e Popullsisë, thirrje për mosdiskriminim dhe kundër pabarazisë

Dita Botërore e Popullsisë është shënuar edhe në Kosovë.

Për nder të kësaj dite është shfaqur një dokumentar i realizuar nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT) dhe UNFPA.

Në debatin pas shfaqjes së dokumentarit panelistët kanë apeluar për krijimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë si dhe që gratë duhet të jenë të barabarta me burrat në çdo sferë të jetës. Ky ishte edhe mesazhi i dokumentarit.

Edi Gusia, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, ka folur për stereotipet me të cilat përballen gratë dhe vajzat si dhe për mbështetjen që duhet t’u ofrohet.

“Stereotipet gjinore afektojnë në kualitetin e jetës sidomos në jetën e grave dhe vajzave. E drejta për mëmësi është një e drejtë e garantuar mirëpo nuk është misioni primar i një gruaje apo një vajze. Do të thotë e drejta për të qenë nënë është një mundësi për të zgjedhur, të cilën shoqëria dhe shteti kanë për obligim ta mbështesin, fillimisht duke e mbështetur me shërbime parësore dhe dytësore, qofshin ato për edukim për shëndetin riprodhues, për sëmundjet seksualisht të transmetuara, të cilat ende fatkeqësisht nuk janë në kurrikulat tona të hulumtimit” – pohoi ajo.

Ndërsa, Majlinda Sinani-Lulaj, Zëvendësavokate e Popullit, tregoi për rolin dhe mekanizmat e Avokatit të Popullit sa i përket pabarazisë gjinore.

“Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, si pak institucione në të gjithë botën, ka një mandat jashtëzakonisht të gjerë, përveç si mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është gjithashtu adresë që shërben edhe si mekanizëm i barazisë. Ndryshe, Avokati i Popullit nuk ka fuqi ekzekutive, fuqi ndëshkuese por ka rekomandime dhe ndërgjegjësim” – ka thënë ajo.

Visare Mujko-Nimani, shefe e Zyrës së UNFPA, ka folur për lidhjen e ndërsjellë mes shëndetit seksual dhe emancipimit të grave dhe vajzave në Kosovë.

“Barrierat fillojnë qysh herët, për fat të keq në momentin kur vetë gruaja është shtatzënë dhe menjëherë pyesin a ke vajzë apo djalë. Sidomos në shoqërinë kosovare ende mbretëron se duhet me e pasë një djalë në familje. Kemi në shoqërinë tonë abort vetëm sepse janë vajza. Domethënë po i mohohet e drejta e jetesës vetëm pse është vajzë” – theksoi Mujko- Nimani.

Erlinë Koca, gazetare, ka folur për ndikimin që kanë mediat në promovimin e grave dhe vajzave.

“Media si pushtet i katërt ka shumë ndikim në këto probleme sociale. Gazetarët mund të japin ndihmesën e tyre në zbulimin e këtyre problemeve. Gjithashtu mund të krijojnë storje për histori të suksesit të grave dhe vajzave si dhe kontributin e tyre që e kanë dhënë shoqëri” – tha ajo.

Ndryshe, Dita Botërore e Popullsisë, që shënohet më 11 korrik, i kushtohet fokusimit në rëndësinë e çështjeve demografike.

Ndërsa Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT) ofron shërbime këshillimi për t’i ndihmuar personat, të cilët me fjalë apo vepra dëmtojnë familjarët e tyre.