Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Europiane - FOTO-KALLXO.com

Dhurata Hoxha për kamerat në rastin Dehari: Refuzoj të merrem me thashethemet e Albulena Haxhiut

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se ka informacione se kamerat për rastin e Astrit Deharit janë marrë para policisë me urdhër të ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Lidhur më këto pretendime, KALLXO.com ka kontaktuar ish-ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

“Refuzoj të mirrem me thashethemet e Albulena Haxhiut” – ka thënë shkurt Hoxha në një përgjigje për KALLXO.com.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se lidhur me rastin e Astrit Deharit së fundi ka urdhëruar një inspektim në raport më atë se cilat kanë qenë detyrat e personave përgjegjës atë ditë.

Haxhiu ka thënë se gjetja kryesore në këtë raport të inspektimit është që kamerat e rastit janë marrë para policisë.

Ajo ka thënë se ka informacione se ky ka qenë urdhër i ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

“Gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para Policisë, që është shkelje penale, ato kanë mundur të shihen pas Policisë, por jo të merren. Sipas informacionet që unë kam marrë nga zyrtarët të ministrisë së drejtësisë më janë thënë që këto janë bërë më urdhër të Dhurata Hoxhës, ish-ministre e drejtësisë” – ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se personat që janë suspenduar duhet ta thonë para Prokurorisë Speciale, pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë dhe kush i ka urdhëruar ata.

“Personat që janë suspenduar tash nga komisioni hetimor duhet ta thonë këtë para prokurorisë speciale, pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë dhe kush i ka urdhëruar ata, a është e vërtetë që për ketë ka urdhëruar ministrja Dhurata Hoxha dhe nëse po atëherë barra bie tek Dhurata Hoxha” – ka thënë tutje ajo.

Haxhiu: Kam informacione që kamerat për rastin Dehari janë marrë me urdhër të ish-ministres Dhurata Hoxha

Lidhur me rastin Dehari, Ylber Topalli dje është pezulluar nga puna e kryeinspektoratit të Inspektoratit lidhur me rastin e Astrit Deharit që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Flamur Pireva, këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë.

Sipas Pirevës, pezullimi i Komisionit Disiplinor ka ardhur mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.

“Procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016. Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti” – ka thënë Pireva.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ylber Topallin, i cili tha se nuk ka pranuar asnjë vendim dhe se tash u njoftua për këtë çështje.

“Unë jam në pushim mjekësor që nga e hëna, nuk e kam asnjë vendim, as kurrfarë informacion, prej juve po dëgjoj. Në Ministrinë e Drejtësisë gjithçka mirë është, veç rregull dhe program nuk ka. Kam me e kërku vendimin, kur ta kem prononcohem më tutje” – u shpreh dje Topalli.

Janë bërë gati 7 vite prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.

Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.