Haxhiu: Kam informacione që kamerat për rastin Dehari janë marrë me urdhër të ish-ministres Dhurata Hoxha

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se lidhur me rastin e Astrit Deharit së fundi ka urdhëruar një inspektim në raport më atë se cilat kanë qenë detyrat e personave përgjegjës atë ditë.

Haxhiu ka thënë se gjetja kryesore në këtë raport të inspektimit është që kamerat e rastit janë marrë para policisë.

Ajo ka thënë se ka informacione se ky ka qenë urdhër i ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

“Gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para Policisë, që është shkelje penale, ato kanë mundur të shihen pas Policisë, por jo të merren. Sipas informacionet që unë kam marrë nga zyrtarët të ministrisë së drejtësisë më janë thënë që këto janë bërë më urdhër të Dhurata Hoxhës, ish-ministre e drejtësisë” – ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se personat që janë suspenduar duhet ta thonë para Prokurorisë Speciale, pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë dhe kush i ka urdhëruar ata.

“Personat që janë suspenduar tash nga komisioni hetimor duhet ta thonë këtë para prokurorisë speciale, pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë dhe kush i ka urdhëruar ata, a është e vërtetë që për ketë ka urdhëruar ministrja Dhurata Hoxha dhe nëse po atëherë barra bie tek Dhurata Hoxha” – ka thënë tutje ajo.

Haxhiu këto deklarata i bëri teksa i është përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, lidhur me epilogun e rastit Dehari.

Berisha përveç kësaj e ka pyetur ministren Haxhiu edhe lidhur me epilogun e rastit të vëllait të Astritit, Arbënor Dehari.

“Cili është epilogu juridik përfundimtar që ka sjell deri të kjo pasojë, së pari duhet të dihet vendimi për sulmin në objekte, dhe rasti i dytë është se cili është epilogu juridik për rastin e vetëvrasjes së vëllait të Arstritit, Arbënor Dehari” – ka pyetur ai.

Haxhiu lidhur më këtë tha një sulm që ishte bërë në Kuvend i ishte veshur aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Siç jeni në dijeni në kohën kur kishte përpjekje të madhe të ndalej demarkacioni dhe zajednica ka pasur përpjekje që edhe organizatën tonë, Vetëvendosjen ta shpallin organizatë të paligjshme” – ka thënë tutje Haxhiu.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te ish-ministrja Dhurata Hoxha për pretendimet e ministres Albulena Haxhiu dhe është duke pritur përgjigje.