Detajet e fundit nga Zveçani, Policia kontrollon Banjskën - VIDEO

Policia e Kosovës është duke vazhduar aksionin e saj në Banjskë të Zveçanit.

Gazetari i KALLXO.com Behar Mustafa ka raportuar drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës aktualisht është duke kryer kontrolla në shtëpitë e zonës së Banjskës duke mbledhur prova nga vendi i ngjarjes.

Drejt Banjskës janë parë edhe mjetet e autobartjes të Policisë së Kosovës.

“Në Banjskë Policia e Kosovës është duke kontrolluar shtëpitë dhe të gjithë zonën. Janë duke marrë prova. Para disa qastesh janë parë edhe një numër i konsiderueshëm i mjeteve të autobartjes së Policisë për të tërhequr veturat që janë gjetur atje. Në veturat që kanë gjetur policia, ka pasur arsenal armësh. Ndërsa ka pasur edhe autoblinda”- ka raportuar gazetari Mustafa.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës. Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë janë arrestuar.\

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Sveçla: Jemi duke punuar në identifikimin e personave brenda manastirit