Detaje të reja nga konfiskimi i marihuanës në bjeshkët e Vërmicës, policia gjen edhe dy vetura dhe kokainë

Dy vetura janë gjetur nga policia të cilat ishin pronë e dy personave të dyshuar të cilët u kapën në bjeshëkt e fshatit Vërmicë gjatë datës 22.02.2024 me rreth 33 kilogram marihuanë.

Policia e Kosovës sot ka njoftuar se ka gjetur edhe dy vetura të cilat dyshohet se i përkisnin personave të cilët tentuan të futeshin nga Shqipëria për në Kosovë. Në veturë brenda kanë gjetur njësia e anti- drogës edhe një masë narkotikë të llojit kokainë.

Raporti i 23.02.2024 i Policisë së Kosovës thotë se “rreth orës 21:00 njësitet e PKK Vërmicë kanë gjetur  dy vetura të cilat ishin pronë e të dyshuarve në rast”. 

Tutje thuhet se njësiti i anti-drogës në Prizren në prezencë të avokatit mbrojtës kanë hapur veturën e njërit nga të dyshuarit mashkull shtetas i Shqipërisë,  ku kanë gjetur dhe konfiskuar 55.84 gram kokainë.  

Policia  e Kosovës, respektivisht Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi gjatë realizimit të një plani operativ, më 22.02.2024, në bjeshkët e fshatit Vermicë ka vërejtur dy persona të dyshuar duke hyrë nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore në mënyrë të paligjshme.

Personat e lartcekur janë vërejtur se gjatë lëvizjes, në shpinë bartnin ngarkesa të dyshuara, ku pasi të njëjtit kishin hyrë në zonën e Republikës së Kosovës, nga zyrtarët policor janë urdhëruar që të ndalohen, mirëpo të njëjtit kanë lëshuar ngarkesat që bartnin dhe kanë filluar që të ikin, njëri nga ta është arritur të ndalohet nga ana e zyrtarëve policorë.

Ngarkesa e dyshuar ndodhej në dy çanta me 11 (njëmbëdhjetë) paketime në sasi prej 33 kilogram e 800 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent dhe rasti i kompletuar së bashku me substancën e dyshuar i dorëzohet Drejtorisë per Hetimin e Trafikimit me Narkotik Prizren për trajtim të mëtutjeshëm.