Detaje nga vrasja makabre e një gruaje në Elbasan - Viktima kishte me urdhër mbrojtje

Të tjera detaje tronditëse kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Elbasan, ku 37-vjeçari Ramiz Mici dyshohet se goditi me thikë Jetlira Elezi, me të cilën raportohet se kanë bashkëjetuar.

Ngjarja mund të ishte paralajmëruar, pasi viktima ishte pajisur me urdhër mbrojtje dhe e kishte denoncuar bashkëjetuesin e saj si dhunues, i cili e kishte rrahur pesë ditë më parë.

Pas sherrit dhe dhunës, viktima kishte kërkuar ndihëm në polici, por ende nuk dihet pse është lënë i lirë bashkëjetuesi dhunues.

Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara.

Sot 37-vjeçarja do të largohej nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër. Duket se ky ka qenë shkaku i debatit të  fundit që çoi në vrasjen e saj.

Ramiz Mici së bashku me 37-vjeçaren jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. 37-vjecarja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë.

Edhe autori i vrasjes ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme.

Ky i fundit, është larguar pasi e ka vrarë bashkëjetuesen dhe policia është në ndjekje të tij./TopChannel