Detaje nga takimi i presidentes Osmani me ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vazhduar takimet me ambasadorë e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë për të diskutuar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Në këto takime, sipas komunikatës për media, Osmani ka kërkuar që liberalizimi i vizave të mos mbetet peng e tenikaliteteve.

“Presidentja Osmani tha se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës në këtë takim, presidentja Osmani po ashtu ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut.

Dje Osmani ka takuar ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe të Sllovenisë të cilëve ia ka përsëritur kërkesat e njëjta.

Të premten presidentja ka pritur në takim përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë.

Të enjten për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Presidenca çeke e Këshillit Evropian ka thënë se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Komisioni Evropian e ka prezantuar raportin e tij të përditësuar për këtë çështje, që rikonfirmon se Kosova vazhdon të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizim” – thuhet në njoftim.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Presidentja Osmani takoi ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe Sllovenisë, u kërkoi përkrahje për vizat dhe anëtarësimin në KE