Foto: PRSK

Presidentja Osmani takoi ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe Sllovenisë, u kërkoi përkrahje për vizat dhe anëtarësimin në KE

Presidentja Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë, të cilëve u ka kërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshill të Evropës.

Sipas komunikatës së Presidencës, sot ajo ka takuar ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe të Sllovenisë.

“Me ta, Presidentja Osmani diskutoi për raportet ndërshtetërore, në mënyrë të veçantë për përkrahjen nga këto vende për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës” – thuhet në komunikatë.

Tutje, sipas komunikatës, me ambasadorët e këtyre vendeve presidentja ka diskutuar  për zhvillimet politike të cilat kanë rrjedhur pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Presidentja Osmani i falënderoi shtetet mike, Gjermaninë, Italinë dhe Slloveninë për përkrahjen e vazhdueshme që ato ia kanë dhënë Kosovës në procese të ndryshme. Sipas Presidentes Osmani, është shumë e rëndësishme që kjo përkrahje të vazhdojë edhe tani, kur Kosova pret që të përmbyllet procesi shumë i rëndësishëm i krijimit të mundësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, proces i cili e prek drejtpërsëdrejti jetën e tyre” – thuhet në komunikatë.

Në këtë takim presidentja Osmani ka theksuar se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh edhe rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën.

“Po kaq e rëndësishme është që të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-ë” – citohet të ketë thënë ajo.

Osmani po ashtu ka kërkuar që kërkesat teknike lidhur me ETIAS të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe përkrahja për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka qenë njëra ndër kërkesa e Osmanit për ambasadorët.

“Sipas Presidentes, anëtarësimi në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm për qytetarët e vendit, ngase u jep atyre mundësi që t’i mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe e ndihmon vendin që t’i avancojë më tej të drejtat e njeriut” – thuhet në komunikatë.

Në ditët e ardhshme presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera për t’i diskutuar me ta këto procese shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Të premten presidentja ka pritur në takim përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë.

Të enjten për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Presidenca çeke e Këshillit Evropian ka thënë se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Komisioni Evropian e ka prezantuar raportin e tij të përditësuar për këtë çështje, që rikonfirmon se Kosova vazhdon të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizim” – thuhet në njoftim.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Osmani pret në takim ambasadorët e disa shteteve të BE-së, diskutojnë për liberalizimin e vizave