Dështon intervistimi i kandidatëve për anëtarë të KPM-së, rekomandohet rishpallja e konkursit

Intervistimi i kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) ka dështuar më 04.03.2024.

Kjo për shkak se në listën e kandidatëve për pozitën e anëtarëve nga komuniteti shqiptar ishin vetëm dy kandidatë.

Sipas komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, kjo bën që të mos plotësohen kushtet për përzgjedhje.

“Andaj, Komisioni unanimisht vendosi që KPM-ja të rishpall konkursin për 2 kandidatë për anëtarë të KPM-së, duke inkurajuar kandidatët të cilët i kanë plotësuar kushtet të rikandidojnë” – tha Besim Muzaqi, kryetar i komisionit ad-hoc, për KALLXO.com.

Ai tha se këtë vendim e bazuan në Ligjin për KPM-në dhe në një opinion ligjor të dhënë më herët.

Edhe pse numri i kandidatëve për pozitën e anëtarit nga komunitetet joshqiptar ishte i mjaftueshëm, meqë komisioni është formuar për përzgjedhjen e të dy pozitave, Muzaqi tha se vendimi për formimin e komisionit nuk mund të zbatohet selektivisht.

Komisioni po ashtu bëri të ditur se njëra prej kandidateve nga radhët jo-shumicë, Azra Desic është larguar nga gara për arsye personale.

Në mbledhjen e datës 29.02.2024 të komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, gjatë shyqrtimit të CV-ve të kandidatëve, komisioni kishte dilema lidhur me kandidaturën e Nora Huseinovic – Veliu.

Kryetari i komisionit ad-hoc, Besim Muzaqi kishte thënë se ka informatë se kandidatja Nora Huseinoviq- Veliu është bashkëshortja e anëtarit aktual të KPM-së, Fitim Veliut, gjë që ia pamundëson kandidimin. Ndonëse ishte diskutuar nëse duhet t’i kërkohet dokument lidhur me këtë, apo të mos i jepet mundësia, Muzaqi kishte deklaruar se e njëjta nuk ftohet për intervistim.

Neni 12.2 i Ligjit për KPM-në thotë se anëtari i KPM-së ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtrojë veprimtari afariste me institucionin e KPM-së.

Të ftuar për intervistim ishin kandidatët Arbenita Mehmeti dhe Belkize Berisha-Xhemajli, nga radhët e komunitetit shqiptar dhe Armanda Toska, Engin Melekoglu, Serpin Emrusi- Halce dhe Azra Desiq nga radhët e komuniteteve jo-shqiptar.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në opinionin ligjor të përmendur nga Muzaqi. Ky opinion ishte dhënë për rastin e konkursit për anëtarë të Bordit për Ankesa të KPM-së, nga drejtoresha për shërbime juridike në Kuvendin e Kosovës, Zoja Osmani.

“Për rastin konkret për dy (2) pozita kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë, prej tyre një është tërhequr nga procesi, rrjedhimisht në mungesë të numrit të nevojshëm të kandidatëve për përzgjedhje (duhet të ketë me shumë se 4 kandidatë)” – thuhet në opinion.

KPM-ja përbëhet nga shtatë (7) anëtarë. Ata përzgjidhen përmes një procesi të kandidimit dhe intervisitmit nga një komision ad-hoc, i cili më pas i rekomandon Kuvendit të Kosovës nga dy kandidatë për çdo pozitë të anëtarit. Kuvendi zgjedh njërin nga kandidatët e rekomanduar me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë.