Derisa në Kosovë protestohet, Mali i Zi paralajmëron ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka paralajmëruar anulimin e koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në disa qytete, raporton Plava e Gucia Sot.

Në një konferencë për media, Markoviq ka theksuar se Qeveria do t’i fillojë bisedimet lidhur me anulimin e këtyre kontratave.

“Ky program pa dyshim ka mundësuar hov të ri në prodhim të energjisë elektrike por në këtë hov ka pas edhe lëshime të cilat i kanë sjellë dëme natyrës. Në disa raste ky konflikt i zhvillimit e ka humb qëllimin e vet që është ngritja e kualitetit të jetesës dhe zhvillimi i bashkësive lokale, proces ky i cili nuk mund të realizohet pa ruajtjen e mjedisit të shëndosh në këto lokalitete”, ka thënë kryeministri malazez.

Markoviq ka treguar se hidrocentralet e prekura nga vendimijanë në lumin Bistrica në Bijello Pole si dhe në tre lumenj në komunën e Plavës: në lumin e Murinës, të Gjyriqit dhe të Komoraçes e po ashtu në Bukovicë e Shavnik dhe në Lumin e Trepçës në Andrijevicë.

Kryeministri i Malit të Zi ka shtuar se në periudhën e ardhshme do të shqyrtohen edhe projektet tjera me probleme të ngjashme.

Ndërkohë, në Kosovë janë duke u zhvilluar protesta kundër ndërtimit të hidrocentraleve.

Në fshatin Biti e Poshtme në Shtërpcë banorët po kundërshtojnë ashpër futjen e lumit Lepenc në gypa, përderisa janë përplasur edhe me pjesëtarë të policisë.

Në anën tjetër kompanitë e kontraktuara për ndërtimin e hidrocentraleve, po e vazhdojnë punën.

Nga investitorët është bërë e ditur se lidhur me ndërtimin e këtyre hidrocentraleve nuk janë mbajtur dëgjimet publike me qytetarë ashtu siç parasheh ligji.

Në Emisionin Jeta në Kosovë mbrëmë është diskutuar  për hidrocentralet që po ndërtohen në lumin Lepenc në Malet e Sharrit.

Jeta në Kosovë diskuton protestën për ujë