Deputetja e PDK-së: Kurti dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot merr vendime pa tru

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka reaguar në lidhje me vitin e ri shkollor i cili ka filluar me grevë.

Hoxha ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci i kanë lënë fëmijët pa shkuar në shkollë.

Ajo deklaroi se Kurti u ka shpallë mësimdhënësve luftë duke i lënë pa paga.

“Albin Kurti, Hekuran Murati  dhe Arbërie Nagavci sot i kanë lënë fëmijët e Kosovës pa shku ne shkollë. Sot ishte dashur të ishte ditë feste në gjithë Kosovën, e sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë e që shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Sepse, Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga sepse janë në grevë dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide e të rënduar”- deklaori Hoxha.

Hoxha tha se mësimdhënësit e Kosovës sot është dashur t’i kenë pagat edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës, por ata po injorohen nga qeveria.

“Sot jemi në terr energjetik. Sot jemi në terr edukativ. Dhe krejt kjo është rezultat i mendjeve të errësuara të kësaj qeverie”- shtoi ajo.

Ndërkaq, Arben Mustafa nga PDK, u shpreh se Kosova po kalon nëpër një krizë të rëndë ekonomike, për shkak të paaftësisë së Qeverisë Kurti, e cila sipas tij, është dorëzuar para këtyre vështirësive.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, rritje domethënëse të të hyrave ka shënuar vetëm Qeveria, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, të cilat po zhvlerësohen çdo ditë nga inflacioni.

Mustafa theksoi se në këtë kohë kur pritej një aktivizim i Qeverisë në ndihmë të ekonomisë, ministri Murati u paraqit në rolin e shtypësit të grevave përmes ndalesës së pagës për shumë punonjës të sektorit publik.

“Në vend të ndëshkimit të grevistëve, Qeveria duhet t’i japë mundësi dialogut dhe në këtë mënyrë të gjejë zgjidhje për kërkesat e punonjësve të sektorit publik, sepse qytetarët tanë kanë mjaftueshëm brenga dhe nuk u nevojiten kriza të reja! Me këtë rast, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që ta kthejë vëmendjen në problemet ekonomike që po e rëndojnë jetën e qytetarëve, sepse ata kanë nevojë ta ndjejnë praninë e Qeverisë përmes përpjekjeve për t’ua përmirësuar kushtet e jetës dhe jo në rolin e shtypësit të të drejtave dhe lirive të tyre”- përfundoi Mustafa.

Sot ka filluar viti i ri shkollor në Kosovë, mirëpo në shumë shkolla mësimi nuk është duke vazhduar për shkak të grevës së mësimdhënësve dhe shërbyesve civil e cila ka filluar që nga 25 gushti.

Dje ministri i Financave tha që është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave për grevistët.

Kërkesa e sindikalistëve, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.