Saranda Bogujevci

Deputetja Bogujevci: Fëmijët shqiptarë në veri nuk kanë shkollë

Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se nga vizita që një komisioni parlamentar e ka bërë në veri të Mitrovicës, kanë parë që shqiptarët dhe komunitetet tjera joserbe përballen me shkelje të lirive dhe të drejtave elementare të njeriut.

Bogujevci tha se nuk ka shkolla për fëmijët shqiptarë.

“Në vitin 2020 nuk ka shkolla për fëmijët shqiptarë, mbajnë mësim në kontejnerë”, tha ajo.

Bogujevci tha se në veri është vendi më i rrezikshëm për të jetuar.

Kërkesat e shqiptarëve sipas saj janë të pakta e bazike.

“Duan të kthehen në shtëpitë e tyre që u dëbuan 20 vite më parë, të mbështeten në rindërtimin e shtëpive të tyre të djegura gjatë dhe pas luftës. Janë rreth 500 shtëpi që mbesin të uzurpuara derisa komuna veriore pengon ndërtimin e rindërtimin e shtëpive”, tha ajo.

“Serbia po investon ndërtime të larta të objekteve me qëllim që serbët nga Serbia të kthehen në Kosovë”, shtoi Bogujevci.

Këtë fjalim deputetja Bogujevci e bëri gjatë debatit parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.